Elhami Shabani humbi luftën e parë në Kampionatin Botëror të karatesë. Shabani pësoi nga hungarezi Gabor Karolyu Harspataki. Fituesi i medaljes së bronztë olimpike në “Tokio 2020”, Harspataki në fund e fitoi medaljen e artë në Botërorin që po mbahet në Budapest të Hungarisë.
Shabani e kishte një mundësi të ndante podiumin me hungarezin. Por garuesi i kategorisë deri 75 kilogramë humbi edhe në luftën e parë të repesazhit. Në repesazh u mposht nga karateisti francez, Enzo Berthon.
Dhe kështu Kosova e mbylli edhe ditën e dytë të Botërorit pa iu afruar medaljes.
Vëllai i Elhami Shabanit, Shpresimi, po ashtu u ndal në luftën e parë. Ai pësoi nga Joaquim Moendes i Portugalisë.
Në luftën e parë u ndal edhe Albinot Selmani i kategorisë deri 60 kilogramë. Ai humbi nga holandezi, Bilal Bouzakri.
Në këtë kategori luftoi edhe Orges Arifi, që përfaqëson Shqipërinë. Humbi nga një garues i Egjiptit.
Lufta e parë e pakalueshme ishte edhe për Njomza Ibrahimin dhe Hatigje Zejnullahun.
Edhe
Karateistët e Kosovës nuk fituan asnjë luftë në ditën e dytë të Evropianit
Ibrahimi e kategorisë deri 61 kilogramë humbi nga suedezja Johanna-Anna Nilsson, derisa Zejnullahu e kategorisë deri 50 kilogramë në luftën e parë u ndal nga garuesja e Kilit, Magdalena Godoy.
Pak më mirë se këto dy karateiste kaloi Albulena Gërvalla. Ajo në luftën e parë të kategorisë deri 55 kilogramë mposhti Loren Zarein e Suedisë. Por edhe për Gërvallën lufta e dytë ishte e pakalueshme. U mposht nga Gulmira Ussenova e Kazakistanit.
Kosova do të marrë pjesë në Botëror edhe në garat ekipore si te meshkujt ashtu edhe te femrat.