Sport

Kastrati shpreson që goli në finale ta afrojë me ekipin e parë të Kosovës

Lirim Kastrati e festoi gjatë golin e shënuar të hënën mbrëma në finale të Kupës së Hungarisë. Kishte arsye të fortë meqë goli i shënuar nga mbrojtësi i Kosovës në minutën e 101-të doli të jetë vendimtar. Ujpesi me fitoren e arritur në stadiumin “Pushkash Arena”, 1:0, ndaj MOL Fehervarit, fitoi Kupën e Hungarisë në futboll.

Kastrati 22-vjeçar pranon se nuk kishte pritur të shënonte gol në këtë përballje finale. Për të është goli më i bukur dhe i rëndësishëm i shënuar gjatë karrierës së deritashme. Kastrati luan qendërmbrojtës dhe nuk shënon shpesh. Por e bëri këtë në moment vendimtar në Hungari.

“Jam shumë i emocionuar dhe i lumtur, sepse me golin e shënuar ia dhurova fitoren klubit, shikuesve e po ashtu edhe për mua ka qenë goli më i rëndësishëm dhe më i bukur që e kam shënuar ndonjëherë”, ka thënë Kastrati të martën për KOHËN.

Kastrati në të kaluarën ka fituar trofe. Por, triumfi me Ujpestin thotë se është më i veçantë.

“Kupa e fituar me Ujpestin për mua ka qenë më i veçantë, sepse ishte edhe finalja ime e parë me një ekip të rriturish. Më herët kam luajtur në finale dhe kam fituar Kupa vetëm me të rinj. Po ashtu edhe për klubin kjo Kupë ka qenë e veçantë. Çdo sukses ka historinë e vet. Do të jetë historik edhe për mua, pasi është Kupa e parë e fituar si senior”, është shprehur Kastrati.

Kastrati pjesë e Ujpesit hungarez është bërë në gusht të vitit 2020. Ai te kjo skuadër u transferua nga të rinjtë e Bolognas së Italisë, ndërsa ka luajtur edhe për të rinjtë e Romës. Trofe ka fituar me dy skuadrat italiane në nivel të rinjsh.

“Jam shumë i kënaqur me zhvillimin tim në Ujpest. Në këtë klub kam gjetur persona të cilët kanë besuar në mua që nga momenti i parë. Kjo ka qenë gjëja më e rëndësishme për mua. Ujpesti më ka dhënë mundësinë t’i tregoj kualitetet e mia. Jam shumë i kënaqur dhe i gëzuar që jam pjesë e këtij klubi”, është shprehur Kastrati.

Me Ujpestin, mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës ka kontratë deri në verën e vitit 2024. Ai thotë se kalimi te Ujpesti ka qenë vendim i duhur. Por, ai nuk përjashton mundësinë të kalojë në ndonjë klub më të madh.

“Ende nuk kam vendosur, sepse ende nuk ka përfunduar sezoni. Kam kohë dhe kam nevojë fillimisht të pushoj për të qenë 100 % i gatshëm për sezonin tjetër pa marrë parasysh se ku do të jem”.

Ai thotë se është i lumtur te Ujpesti, ndërsa i vjen keq që klubi nuk ka arritur të jetë më lart në tabelë. Megjithatë, objektivi thotë se është arritur.

“Synimi i klubit ishte të siguronim një vend për në Ligën e Evropës. Këtë objektiv e kemi arritur me triumfin në Kupë. Në kampionat nuk patëm fat të arrijmë ku meritojmë, sepse kemi pasur shumë lëndime dhe shumë lojtarë të infektuar me koronavirus. Por, ne qëllimin e kemi arritur”, ka thënë Kastrati, skuadra e të cilit mban vendin e shtatë në kampionat.

Kastrati ftohet herë pas here te përfaqësuesja A e Kosovës. Ai nga viti 2017 ka luajtur tri ndeshje për “Dardanët”, ndërsa lojtar kyç ka qenë te Shpresat e Kosovës. Por, Kastrati insiston se është pjekur për të qenë i rregullt te Kosova “A”.

“Pres të jem pjesë e Kosovës A rregullisht, sepse jam duke luajtur të gjitha ndeshjet dhe paraqitjet e mia kanë treguar se jam në formë të mirë. Por, në fund është trajneri ai që vendos dhe unë do ta respektoj vendimin e tij. Unë kam thënë se kam qenë dhe jam gati gjithmonë për Kosovën time”, ka thënë Kastrati.

Kosova e ka edhe një lojtar me emër e mbiemër të njëjtë. Sulmuesi Lirim Kastrati luan për Dinamon e Zagrebit.