“Wow! Çfarë goli!” thotë Pajtim Kasami kur shikon golin e jashtëzakonshëm të tij për Fulhamin ndaj Crystal Palacet para gjashtë vjetësh. Ishte goli me të cilin ylli shqiptar do të mbahet mend në Premier Ligë.
Mesfushori kishte arritur të kontrollonte për mrekulli topin dhe me një vollej të fuqishme e direkt në qosh të golit, në stilin e Van Bastenit.
“Gjithçka ndodhi aq shpejt. Është gol nga instinkti: Shënoni dhe nuk mendoni për të shumë, por kur e shikoni më pas e kuptoni: ‘Wow, çfarë goli!” ka shpjeguar Kasami për “The Guardian”. “Në atë moment nuk e kuptoni çfarë goli keni shënuar. Ishte i përsosur, me pasimin, vrapimin që bëra, mënyrën si e kontrollova dhe si e godita me këmbën më të dobët, gjithçka ishte tamam siç duhej”.
27-vjeçari kishte barazuar rezultatin në ndeshjen të cilën skuadra e Fulhamit e fitoi 4 me 1 në muajin tetor, transmeton Koha.net.
“Ishte viti im i shpërthimit në Premier Ligë. Isha shumë i ri te Fulhami, kisha ardhur nga një ekip i mirë në Itali dhe iu bashkova yjeve si Damien Duff, Bobby Zamora, Steve Sidwell, Scott Parker e Dimitar Berbatov. Kishim ekip të mirë e të fortë, por s’kishim rezultatet e duhura dhe shefi Shahid Khan ndërroi trajnerin dhe më pas gjërat ishin ndryshe. Ishte viti im i tretë te Fulhami. Po startoja, po luaja në gati çdo ndeshje dhe me vetëbesim. Mora vëmendjen e shumë ekipeve po ashtu. Isha i rregullt te Zvicra, andaj ishte shumë moment i mirë, por fatkeqësisht, nuk patëm një sezon të mirë”, ka shtuar Kasami.
Kasami kishte kaluar te Fulhami nga Palermo më 2011. Pas rënies nga Premier Liga, Kasami u drejtua drejt Greqisë. Vendimin e largimit nga Anglia, Kasami e ka quajtur jo të mirë.
Kasami, që luan te Sioni, ka thënë se shpreson që një ditë të luajë sërish në Angli.