(Blick) - Goli është një simfoni, një ëndërr për këdo që e do futbollin. Nga krijimi në përfundim, një kryevepër. Topi i gjatë, rruga e golashënuesit, pritja me gjoks, gjuajtja. Një goditje volej dhe gol fantastik, një nga më të bukurit në historinë e Premier Leagues. Golashënues: Pajtim Kasami. Me fanellën e Fulhamit në ndeshjen në udhëtim Crystal Palacet. Kanë kaluar dhjetë vjet që kur mesfushori i Zvicrës heshti të gjithë në stadiumin “Selhurst Park” me golin e shënuar me këmbën e tij “të dobët” – të djathtën.
“Kur e mendoj atë gol, akoma rrëqethem”, thotë 31-vjeçari Kasami. “Pashë hapësirën, pashë shokun tim të skuadrës Sascha Riether, bëra kontakt me sy me të. Më pas erdhi topi, pjesa tjetër është instinkt, e godita në mënyrë të përsosur”.
Goli bëhet viral, pas të cilit asgjë nuk është e njëjtë për Kasamin. Madje, Kasami u përgëzua për golin nga Steven Gerrard, i cili atëbotë ishte kapiten i Liverpoolit.
“Kur luajtëm me Liverpoolin jashtë në ‘Anfield Road’, Steven Gerrard erdhi tek unë dhe më tha: ‘Meqë ra fjala, çfarë goli i mrekullueshëm!’”, kujton Kasami.
Goli i Kasamit u përmend për javë të tëra, ndërsa edhe sot ai pyetet për të disa herë në vit. Në fund, megjithatë, goli ishte më shumë një mallkim sesa një bekim për Kasamin. Sepse është gjëja e vetme e mirë i një sezoni për t'u harruar. Tre trajnerë të ndryshëm ishin në krye të Fulhamit, në fund londinezët bien nga Premier League me gjermanin Felix Magath.
“Ne kishim shumë trazira në klub në atë kohë sepse një pronar i ri erdhi në verë”, thotë Kasami.
Edhe
Pas largimit nga Liverpooli, Salah po e udhëheq Egjiptin drejt historisë
Megjithatë, Fulhami nuk do të ishte klubi i tij i vetëm me një mjedis të trazuar. Për tri vjet, mesfushori qendror luajti nën të paparashikueshmen Christian Constantin te skuadra e Sionit. Në Basel, Kasami përjetoi kaosin nën drejtimin e Bernhard Burgenerit dhe nën David Degenin. Dhe, tani ai ka gjetur një klub të ri, por në Itali. Është skuadra e Sampdorias, e cila ishte në prag të falimentimit në verë. Pronarët e rinj duhet të shlyejnë borxhet prej 100 milionë eurosh. Për shkak se e gjithë puna u zvarrit, skuadra e nisi sezonin e ri të Serisë B me dy pikë minus. Aktualisht janë më afër rënies sesa rikthimit në Serie A dhe kjo është situatë e vështirë për fansat krenarë të Sampdorias.
“Klubi duhet të rifitojë qetësinë. Skuadra u mblodh vonë për shkak të situatës së vështirë”, thotë Kasami. Ai vetë iu bashkua klubit vetëm në mes të shtatorit, por që atëherë është bërë një lojtar i rregullt nën trajnerin Andrea Pirlo. Nën kampionin e botës, Kasami luan aty ku ndihet më rehat – mesfushor i gjithanshëm. Ai shënoi golin e tij të parë këtë edicion në fitoren 2:0 ndaj Modenas. Ishte ky një gol tjetër i bukur i Kasamit, por sigurisht që nuk ishte aq i bukur sikurse ai me fanellën e Fulhamit. Atëbotë Kasami pranoi topin me gjoks dhe shënoi një gol për të cilin do të flitet ende edhe pas dhjetë vjetësh.