Ishte një përfundim sikur në filmat e Hollywoodit. Por, jo për superyjet globale të Real Madridit, të cilët u shtangën nga një gol spektakolar i heroit të panjohur, karriera e të cilit ka qenë një udhëtim nëpër pikat më pak joshëse të futbollit.
Sebastien Thill, 27-vjeçar, shënoi gol në minutën e 90-të në ndeshjen e Ligës së Kampionëve të martën mbrëma për t’ia siguruar fitoren kampionit të Moldavisë, Sheriff Tiraspoli, me rezultatin 2:1 në stadiumin “Santiago Bernabeu” në Madrid.
“Më duhet të pranoj që ishte një prej golave më të mirë dhe më të rëndësishëm në karrierën time. Kjo është më se e sigurt”, pranoi Thill.
Ishte një ëndërr e realizuar për mesfushorin anonim me tipare sulmuese, i cili vjen nga futbolli i Luksemburgut. Ndër tatuazhet e tij të shumta është ai që mund ta shfaqte mendjemadh disa muaj më parë, por që tani duket profetik. Aty tregohet numri (31), emri (Thill) dhe trofeu i Ligës së Kampionëve, garë në të cilën ai ka ëndërruar të luajë që nga fëmijëria.
Kundër Real Madridit, Thill e ndoqi atë ëndërr duke vrapuar 12 kilometra, më shumë se çdo lojtar tjetër në fushë, para se të përfundonte ndeshjen me një gol.
“Kisha ngërçe pas ndeshjes, sepse ekipi kishte vrapuar aq shumë”, tha Thill. “Skuadra ishte aq e guximshme se si luajti dhe për fat të mirë unë isha në gjendje të shënoja atë gol që ishte pak mahnitës”.
Goditja e Thillit ishte shumë e fortë për një nga portierët më të mirë në botë, Thibaut Courtoisin. Ai siguroi fitoren e një klubi nga enklava separatiste e Transnistrisë, i cili po luante vetëm ndeshjen e dytë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Sherifi, kampioni shumëvjeçar i Moldavisë, kishte mposhtur tashmë dy emra më të mëdhenj, Dinamon e Zagrebit dhe Cërvena Zvezdën e Beogradit, në raundet kualifikuese të Championsit. Por Real Madridi është nivel krejtësisht tjetër. Me 13 tituj të Evropës, Reali ishte kundërshtari më i madh dhe rival i frikshëm për Sheriffin e vogël.
“Festa pas ndeshjes ishte e çmendur. Nuk mund të besonim. Fitorja në Madrid na ka bërë shumë të lumtur”, pranoi Thill.
Në shtëpi Sheriffi luan para turmave modeste duke pasur parasysh se pjesëmarrja mesatare në Ligën e Moldavisë këtë sezon është 538 tifozë për ndeshje. Ndërkohë, kishte zyrtarisht 5200 shikues në ndeshjen e parë të klubit në Ligën e Kampionëve kundër Shakhtar Donetskut, të luajtur më 15 shtator. Atë ndeshje Sheriffi e fitoi 2:0 dhe tani është lider i grupit të Championsit me gjashtë pikë.
Edhe me kufizimet e Covid-19 dhe rindërtimin e stadiumit kishte 29 mijë tifozë në tribunat e “Santiago Bernabeut”, që Thill i tronditi.
Thill ka bërë një rrugë të gjatë për të arritur deri këtu. Katërmbëdhjetë muaj më parë ai ishte një amator në ekipin Progres Niederkorn në Luksemburg, duke stërvitur në mbrëmje në një fushë që e kishte kositur gjatë ditës si kopshtar komunal. Niederkorn e shiti atë në Tambov, një klub që kishte vështirësi financiare në edicionin e vetëm në elitën e futbollit të Rusisë. Tambov duhej të lironte të gjithë lojtarët përveç tre gjatë pushimit të dimrit, përfshirë mesfushorin Thill, pasi përfundoi në pozitën e fundit në tabelë para se të falimentonte.
“Kishte probleme me pagat kështu që unë kalova vetëm katër muaj atje”, pranoi Thill. “Nuk ishte aspak një periudhë e lehtë dhe nuk kam dëshirë ta kujtoj”.
Ai u rekrutua nga Sherifi. I bëri përshtypje sepse klubi posedonte një infrastrukturë që “shumë klube të ligës së parë në Evropë nuk e kanë”.
Thill u transferua në një vend të izoluar të futbollit, në Transnistrinë e vetëshpallur të pavarur, sovraniteti i së cilës njihet vetëm nga territoret e tjera të ngjashme në ish-Bashkimin Sovjetik, si Abkhazia ose Osetia e Jugut dhe klubi i të cilit vend ende luan në ligën e Moldavisë.
Djali i dy futbollistëve të Përfaqësueses së Luksemburgut, babait Serge, i cili luajti për pak kohë në divizionet e ulëta belge për Athus, dhe ëmës Nathalie, Thill ka dy vëllezër më të vegjël, Vincentin dhe Olivierin, të cilët luajnë profesionalisht dhe të dy janë me Vorskla Poltavan, skuadër që aktualisht është e treta në kampionatin e Ukrainës.
Sherifi kryeson grupin dhe përballet me kampionin e Italisë, Interin, në ndeshjen e ardhshme. Ndërsa shikonte përpara, Thill tregoi se ai po zotëron teknikat e profesionistëve më të mirë kur bëhet fjalë për dhënien e intervistave.
“Ne jemi pjesë e një grupi shumë të vështirë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pavarësisht dy fitoreve që i kemi shënuar tashmë. Ne duhet të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe të japim 100 për qind nga vetja dhe nëse na jepet rasti për të avancuar nga faza e grupeve, ta shfrytëzojmë. Jemi në pozitë të mirë, por është herët të mendojmë për fazat e nokautit”, tha Thill, i cili u kthye sërish te goli që e shënoi kundër Realit. “Shënova një gol të mrekullueshëm që do ta mbaj në mend përgjithmonë. Megjithatë, tani na pret ndeshja në ligë dhe fokusi im është aty”.