Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rrugëtimi i papritur i trajnerit Vernydub që mori armën për ta mbrojtur Ukrainën

Është 56-vjeçar dhe është kthyer në atdheun e tij në një përpjekje për të ndihmuar në rivendosjen e paqes në rajon, me angazhimet profesionale të pezulluara për momentin.

Yuriy Vernydub është një trajner futbolli, në krye të kampionit në fuqi të Moldavisë, Sheriff Tiraspolit, por ai është gjithashtu një ukrainas krenar dhe një nga ata që kanë hequr dorë nga angazhimet profesionale në mënyrë që të bëhet ushtar dhe t'i bashkohet luftës kundër pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Me tensionin politik në Evropën Lindore, shumë prej banorëve janë detyruar të largohen nga Ukraina pas veprimeve ushtarake të Rusisë me urdhër Vladimir Putin. Vernydub, i cili ka pushtuar ballinat e mediumeve botërore në Ligën e Kampionëve këtë sezon, po shkon në drejtim të kundërt, ndërsa përpiqet të ndihmojë në kthimin e paqes në një rajon që është bërë fokusi i zemrave dhe mendjeve në mbarë botën. Gjashtë muaj më parë - më 21 shtator 2021 - Vernydub shkaktoi një prej befasive më të mëdha në historinë e Ligës së Kampionëve, kur Sherifi mposhti Real Madridin me rezultatin 2:1 në stadiumin “Santiago Bernabeu”.

Pasi kaluan katër runde kualifikuese për të arritur në fazën e grupeve të Championsit, ekipi nga Transnistria dëshmoi se mund të përballeshin me elitën kontinentale. Sherifi nuk ishte në gjendje të kalonte në fazën e nokautit, por ra në Ligën e Evropës pasi përfundoi i treti në një grup që përfshinte gjithashtu Interin dhe Shakhtar Donetskun.

Më 24 shkurt, Sheriffi e fitoi ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Evropës në shtëpi ndaj Bragas me rezultatin 2:0 përpara se të eliminohet në ndeshjen e kthimit pas penalltive. Për Sheriffin, kjo ishte një aventurë e paharrueshme evropiane, por brenda disa orësh nga ajo garë që i dha fund paraqitjes së ekipit të trajnerit Vernydub, ndryshoi jetën e tij dhe të ukrainasve të tjerë, përgjithmonë. Vernydub, i cili pranon se “nuk ka probleme me përdorimin e armëve të zjarrit”, shpjegoi se si vendosi ta lë punën e tij te Sheriffi për t’u kthyer në Ukrainë për të luftuar.

“Djali im më telefonoi në orën 4:30 të mëngjesit dhe më tha se rusët na sulmuan. Aty e dita se do të kthehesha në Ukrainë për luftë. Fluturuam në shtëpi dhe zbritëm në qytetin Iasi të Rumanisë. Më pas shkova me autobus për në Tiraspol, në Transnistria, me pjesën tjetër të ekipit të premten në mbrëmje dhe u nisa për në Ukrainë të shtunën në mëngjes. U regjistrova të dielën. U deshën 11 orë nga Tiraspoli për të shkuar në shtëpinë time në Ukrainë, duke udhëtuar përmes Odessas, pastaj përmes Kirovgradit, Kryvyy Rih dhe më pas Zaporoje, por nuk mund të them se ishte e vështirë”, zbuloi Vernydub. “Nuk dua të gënjej. Ndërsa po kthehesha në shtëpi, pashë shumë burra të fortë që po largoheshin nga vendi. Nëse ata do të kthehen, do të jem i lumtur. Unë e kuptoj se ata u larguan me familjet e tyre në Moldavi, Rumani e kështu me radhë. Nga zona jonë janë larguar shumë burra... burra nga Kharkovi, Zaporoja, Lugansku, Donetsku. E kuptova në atë moment që nuk mund të bëj të njëjtën gjë. I thashë vetes që sapo të kthehem në shtëpi, do të shkoj të regjistrohem në ushtri”.

Edhe Rruga e gjatë dhe e mundimshme e trajnerit të Sheriffit Sport Rruga e gjatë dhe e mundimshme e trajnerit të Sheriffit

Vernydub thotë se shumë njerëz ishin munduar t’ia ndërronin mendjen. Ata i kërkonin që mos të regjistrohej në ushtri, por trajneri ukrainas ishte i vendosur për ta marrë armën për ta mbrojtur vendin e tij, siç është edhe tani. Për të nuk ishte e vështirë të kthehej në Moldavi, por nuk mund ta shihte vendlindjen e tij të sulmohej nga Rusia.

“Njerëzit afër meje u përpoqën të më ndalonin. Gruaja ime, fëmijët e mi, nipërit e mbesat e mia. Unë qëndrova i fortë dhe falënderoj gruan time që më mbështeti. Ajo e njeh karakterin tim. Nëse marr një vendim, nuk do ta ndryshoj. Ne mund të kishim shkuar në Moldavi dhe ky opsion është ende i hapur për fëmijët e mi, për gratë e tyre, për nipërit e mbesat e mia. Por unë dhe gruaja ime - ne do të qëndrojmë këtu me siguri”, tha ai. “Për momentin mendoj se nuk jam shumë larg konfliktit. Betejat më të rënda janë ndoshta 120 km larg vendit ku jemi. Por unë e mora vendimin tim, kështu që gjithçka është në rregull. Unë nuk kam frikë. Unë isha në ushtri kur isha i ri - ishte e detyrueshme ta bëja për dy vjet. Por ishte në një njësi për sportistët. Për dy muaj na mësuan teorikisht dhe më pas mësuam të trajtonim armën. Por kjo ishte shumë kohë më parë. Nuk mund të them se kam ndonjë problem me përdorimin e armëve të zjarrit, di t'i përdor ato”.

Edhe pse është pjesë e ushtrisë ukrainase, Vernydub thotë se ka shumë prej luftëtarëve të tjerë që i kërkojnë të bëjnë fotografi me të. Ai thotë se ndihet i motivuar sikurse të gjithë ushtarët për ta mbrojtur Ukrainën, pavarësisht çmimit.

“Është gjithashtu mirë që shumë prej ushtarëve, më kërkojnë të bëjmë fotografi. Nuk më lejohet të bëj të ditur se cili është roli im në ushtri. Tani jemi duke u udhëzuar. Në çdo minutë jemi gati të shkojmë aty ku na thonë. Unë nuk e kam përdorur ende armën time, por jam gati, gjithmonë. Nuk mund ta kuptoj Putinin dhe nuk mund t'i kuptoj rusët që nuk janë kundër tij. Në Rusi, gjërat tregohen ndryshe, pasi ata thonë se po na lirojnë. Unë nuk gjej dot fjalët e mia për të përshkruar atë që po bëjnë. Ata po sulmojnë shtëpitë e civilëve, por vetëm thonë se godasin infrastrukturën ushtarake. Ata gënjejnë”, shtoi Vërnydub. “Nuk kam asnjë dyshim në mendjen time se Ukraina do ta fitojë këtë luftë. Unë nuk mund të mendoj për asgjë tjetër. Unë jam i sigurt për këtë. “Kam respekt të plotë për presidentin Volodymyr Zelensky pasi kam votuar për të. Unë mendoj se paqja do të ndodhë vetëm kur të fitojmë. Mendoj se kërkesat e Rusisë janë të pamundura për t'u arritur. Ne nuk do të tërhiqemi”.

Edhe pse është në ushtri, Vernydub thotë se futbolli është gjithmonë në mendjen e tij. Ai ende e kujton me krenari fitoren e famshme ndaj Real Madridit.

“Unë ende mendoj për futbollin gjatë gjithë kohës. Futbolli është jeta ime. Që në fëmijëri kam filluar të luaj, kam qenë profesionist, pastaj jam bërë trajner. Jam i sigurt se do të vazhdoj të jem trajner dhe do të fitoj trofe. Ende nuk mund ta harroj fitoren ndaj Real Madridit, të cilën as që e kam imagjinuar”, pranon Vernydub.

Edhe Trajneri i Sheriffit, Vernydub, i bashkohet luftës kundër Rusisë Sport Trajneri i Sheriffit, Vernydub, i bashkohet luftës kundër Rusisë

Ai thotë se çdo ditë kontaktohet nga skuadra e Sheriffit, të cilët interesohen për të dhe familjen e tij. Vernydub ka thënë se do të kthehet në klub sapo të përfundojë lufta.

“Mendimi për futbollin më motivon. Futbolli është jeta ime. Shpresoj që kjo luftë të mos zgjasë shumë. Ne do të fitojmë dhe unë do t'i rikthehem punës sime të dashur”, tha ai.