Sport

Kualifikimi i Luksemburgut në Botëror është çështje familjare për mesfushorin Thill

Pasi shtangu njërin prej gjigantëve të futbollit të Evropës, duke shënuar golin e fitores për Sheriff Tiraspolin kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve, gjithçka duket e mundur për mesfushorin Sebastien Thill. Madje, edhe kualifikimi i Përfaqësueses së vogël të Luksemburgut në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

“Matematikisht është ende e mundur”, tha Thill në lidhje me shanset e vendit të tij për të marrë pjesë në Botërorin e vitit të ardhshëm. “Pse të mos shkoj një ditë në një turne të madh me fanellën e Luksemburgut? Të gjithë duan të luajnë në Botëror dhe për këtë po stërvitemi. Ne po shkojmë në ndeshjet e fundit të ciklit eliminator për t’i fituar”.

Kualifikimi në Katar mund të jetë i vështirë, por për mesfushorin Thill nuk do të ishte aspak befasi nëse Luksemburgu kualifikohet. Thill është pjesë e një brezi të ri lojtarësh që e kanë kthyer Luksemburgun - me një popullsi prej pak më shumë se 600 mijë banorësh - nga një autsajder të vazhdueshëm në një ekip të respektuar gjerësisht, që luan lojë të sigurt dhe me pasime.

Kur Thill shënoi golin e fitores për klubin nga Moldavia, Sheriffin, kundër Real Madridit në stadiumin “Santiago Bernabeu” muajin e kaluar, ai u bë lojtari i parë nga Luksemburgu që shënoi në Ligën e Kampionëve. Përpara ndeshjes kualifikuese të së martës për Botërorin “Katari 2022” kundër Portugalisë së Cristiano Ronaldos, Luksemburgu është i treti në Grupin A, pas fitoreve ndaj Irlandës dhe Azerbajxhanit. Përfaqësuesja e renditur në vendin e 94-t në ranglistën e FIFA-s dhe që njihet me nofkën “Luanët e Kuq”, në ndeshjen e fundit ka trembur Serbinë që është lidere e grupit me një pikë më shumë se Portugalia. Serbia arriti një fitore të ngushtë, 1:0, në stadiumin e ri të Luksemburgut, të shtunën. Skuadra e mesfushorit Thill kaloi në epërsi kundër Portugalisë në mars, para se të humbte 3:1 në shtëpi. Në atë lojë kundër Portugalisë, në stadiumin “Josy Barthel” tashmë të zhdukur, për pak sa nuk u realizua një nga ëndrrat e tjera të mëdha të Thillit, kur ai u fut si zëvendësues në minutën e 58-të. Por, në të njëjtën kohë dolën nga loja vëllezërit e tij më të vegjël Olivier dhe Vincent Thill - duke ua mohuar të treve një shans për të luajtur së bashku për ekipin përfaqësues.

“Sigurisht, është një synim i yni të luajmë së bashku në të njëjtën fushë dhe ndeshje”, tha Thill. “Mund të ndodhë në muajt e ardhshëm, kur Vincenti të jetë përsëri në formë”.

Olivier dhe Vincent luajnë për Vorskla Poltava në divizionin më të lartë të Ukrainës. Prindërit e tyre, Serge Thill dhe Nathalie Hoeltgen, kanë luajtur për Përfaqësuesen e Luksemburgut.

“Sigurisht që të gjithë ëndërrojmë që ata të luajnë së bashku”, tha Hoeltgen. “Ne jemi një familje. Do të ishte sensacionale. Të gjithë do ta meritonin, ata të gjithë po luftojnë dhe stërviten për mundësinë për të luajtur përsëri së bashku”.

Sebastien dhe Olivier Thill luajtën 90 minuta kundër Serbisë të shtunën, kur Vincenti ishte jashtë fushës me një dëmtim. Tre vëllezërit nuk janë arsyeja e vetme pse Luksemburgu tani është në gjendje të konkurrojë me përfaqësuese më të mëdha. Anëtarët e tjerë të ekipit përfaqësues luajnë për klube në Gjermani, Francë, Zvicër, Portugali, Belgjikë, Holandë, Angli dhe SHBA. Kjo është shumë larg nga formacionet e dekadave të kaluara, kur humbjet e rënda dhe ndeshjet pa asnjë gjuajtje në portë, vinin nga Luksemburgu të përbëhej kryesisht nga lojtarët amatorë.

“Ne kemi një përzierje të bukur të lojtarëve të rinj dhe me përvojë”, tha Sebastien Thill. “Shumica prej nesh po luajmë në klube të mira jashtë vendit. Përfaqësuesja jonë nuk ka luajtur kurrë kaq mirë”.

Thill veçoi lojtarët si Leandro Barreiro që luan te Mainzi në Bundesligë dhe Christopher Martins, i cili ishte pjesë e Young Boysit që mundi Manchester Unitedin në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Pastaj është sulmuesi Gerson Rodrigues, aktualisht i huazuar te Troyesi nga Dynamo e Kievit. Akademia e futbollit e Luksemburgut po nxjerr gjithashtu lojtarë të rinj premtues, të cilët shpesh kapen nga ekipe profesionale jashtë vendit.

“Shikoni lojtarët që kemi”, tha babai i vëllezërve Thill, Serge. “Është e vështirë të futesh në skuadër këto ditë”.

Serge Thill luajti 14 ndeshje për Luksemburgun në vitet 1990, kur ekipi dukej i paracaktuar për të humbur çdo ndeshje. Gjithashtu, përfaqësonte vendin e tij në atë kohë Luc Holtz, tani trajner i një ekipi të ringjallur. Nën urdhrat e Holtzit, Luksemburgu tashmë ka lënë pas vetes përfaqësuese të tjera të vogla të futbollit evropian, si Malta, Qiproja dhe Lihtenshtajni.

“Ne nuk mund ta krahasojmë veten me Portugalinë, por Luksemburgu po bëhet gjithnjë e më i mirë”, tha Serge Thill.

Nëse Thill nuk mund ta realizojë këtë ëndërr, të luajë në Botëror, atëherë një anëtar i familjes së tij mund ta bëjë. Vëllai më i vogël i tij është 11-vjeçari Marek, i cili stërvitet pesë herë në javë dhe tashmë luan për Përfaqësuesen U-14 të Luksemburgut. Pra, a mund t’i shohim katër vëllezërit Thill në fushë për Luksemburgun një ditë?

“Pas pesë vjetësh mund të ndodhë”, tha Sebastien Thill. “Por, qëllimi ynë i parë është që ne të tre ta arrijmë”.