Haris Berisha kishte dilemat e tij si fëmijë. Nuk ishte i vendosur nëse do të regjistrohej në ndonjë klub të futbollit apo ku sot është duke bërë karrierë – hendboll. Me insistim të vëllait, 24-vjeçar, ai zgjodhi hendbollin.
“Nuk jam aspak pishman, mburrem me karrierën dhe të arriturat e mia deri tash si portier i hendbollit”, thotë Berisha.
Ka bërë mirë që zgjodhi hendbollin, meqë sot është portieri i parë i Kosovës dhe pak kohë më parë bëri një hap të madh në karrierë, duke nënshkruar kontratë për një vit me mundësi vazhdimi me skuadrën e kategorisë së dytë zvicerane, HSC Kreuzlingen, që synon kalimin në elitë. Deri më tani, Berisha ka luajtur në nivel jo shumë të lartë në Gjermani dhe kalimi në Zvicër është hap vërtet i rëndësishëm për karrierën e tij.
“Kalimi në Kreuzlingen është një lëvizje e mirë për mua, pasi mund të piqem edhe më shumë këtu dhe të fitoj përvojë për ta ndihmuar ekipin dhe sigurisht Kosovën”, ka theksuar Berisha.
Përkundër moshës së re, 24-vjeçari nga Deçani tashmë ka shumë përvojë ndërkombëtare. Për kalimin e tij te Kreuzlingeni ka shkruar edhe Federata e Hendbollit të Zvicrës. Lëvdatat nga Federata Zvicerane e Hendbollit ishin të mëdha për portierin e gjatë 197 centimetra.
“Ishte numër një në kualifikimet për Evropianin 2020, te Kosova. Falë pritjeve të tij, Kosova arriti fitore historike, 27:24 ndaj Izraelit dhe barazimin e jashtëzakonshëm 23:23 ndaj Polonisë. Berisha, po ashtu, është vlerësuar lart për paraqitjen ndaj Gjermanisë para 7.200 shikuesve. Falë asaj paraqitjeje ka siguruar kalimin në Zvicër”, ka shkruar federata zvicerane.
Pjesë e skuadrës zvicerane janë edhe kapiteni i Kosovës, Valon Dedaj, dhe anëtari tjetër Drenit Tahirukaj.
“Jam shumë i gëzuar për mundësinë që të luaj në ligën e dytë zvicerane. Jam i motivuar që iu kam bashkuar një ekipi me kualitet e potencial të madh”, thotë ai.
Edhe vetë Berisha thotë se të tria ndeshjet kualifikuese për “Euro 2020” kanë ndikuar ta fitojë mundësinë për t’u ngritur në karrierë, meqë në të kaluarën ka luajtur në nivel jo shumë të lartë në Gjermani.