Ishte vera e vitit 2006. Festa e futbollit ka kapluar Gjermaninë. Futbollistët e Përfaqësueses së Gjermanisë, të udhëhequr nga Juergen Klinsmann, arrijnë deri në finale të Kampionatit Botëror, por duhej të pajtoheshin me vendin e tretë. Atë verë, TSV 1860 Muenchen organizoi ditën tradicionale të talenteve nga rajoni. Si 14-vjeçar, Liridon Krasniqi marshoi me shokë në fushën e futbollit, por jo për të luajtur futboll.
“Shokët e mi donin të vidhnin diçka në zhveshtore derisa të tjerët po stërviteshin”, thotë Krasniqi.
Gjatë rrugës për në zhveshtore, Krasniqi ka takuar trajnerin e tij nga Viktoria Muenchen dhe pati një bisedë të shkurtër me të. Gjatë bisedës, trajneri i tregoi Krasniqit se e kishte regjistruar të birin, por një grip ia kishte pamundësuar atij të ishte i pranishëm në prova. Me t’u larguar nga trajneri, Krasniqit i erdhi në mendje një ide, të prezantohej me emrin Ivan Bakoviq djali i trajnerit.
“Dola në fushë me atë emër dhe në fund të provës trajnerët na tubuan të gjithëve. Ata na thanë se askush nuk i ka kaluar provat, përveç Ivan Bakoviqit”, kujton Krasniqi.
Ky mashtrim ishte bileta drejt futbollit profesionist për Krasniqin. Një biletë, të cilën më pas e dogji sërish. Liridon Krasniqi ka lindur më 1 janar të vitit 1992 në Viti, komunë në lindje të Kosovës. Në vitin 1996, prindërit e tij u zhvendosën në Muenchen. Kështu që, Krasniqi është rritur në këtë qytet.
Një tregim romantik i futbollit ishte shpëtim për Krasniqin. Pasi i kaloi provat me emrin Ivan Bakoviq, Krasniqi u paraqit te Muenchen 1860. Ai pranoi se ishte futur në prova me identitet të falsifikuar, por trajnerët ia dhanë edhe një rast për shkak të talentit që e kishte.
“Liridoni nuk ishte pa polemika në atë kohë. Ai ishte si një katror në një rreth. Një provokim për ata që ishin përshtatur fort”, kujton Berthold Nickl, atëherë drejtor arsimor i akademisë së klubit dhe tani këshilltar lojtarësh. Te Muenchen 1860, Krasniqi nuk qëndroi gjatë. Për ta thënë më saktë: E nxorën në rrugë.
“Më pëlqeu më shumë rruga. Kam respektuar më shumë futbollin e rrugës”, thotë ai.
Krasniqit i pëlqente t'i mundte të gjitha skuadrat e fushës së futbollit në Muenchen me djemtë e lagjes së tij. Krasniqi u përpoq më shumë në fusha konkrete me gola pa rrjetë sesa në një lëndinë të rregulluar me përpikëri në një akademi të të rinjve. Në atë kohë Krasniqi shiste bileta para stadiumit “Allianz Arena” kur papritur e takoi Bertholdin, i cili ia mundësoi të jetë pjesë e akademisë së Bayern Muenchenit. Por edhe nga Bayerni u përjashtua pa i mbushur 18 vjet. Në moshën 18-vjeçare Krasniqi nënshkroi kontratën profesionale për ekipin e juniorëve të Slavia Pragës me iniciativën e tij. I fitonte 400 euro në muaj dhe vetëm udhëtimi me tren nga Muenchenu kushtonte 100 euro. Nickl kujton se Krasniqi kishte “nënshkruar një kontratë në gjuhën çeke që nuk e kuptonte dhe përfundoi pa para dhe ushqim”. Krasniqi ia ktheu shpinën Pragës, pavarësisht kontratës aktuale. FIFA e ndaloi atë për dy vjet.
Ai u kthye në Gjermani, ku punonte në ndërtim me dajën e tij.
“Nuk pushova kurrë së besuari në veten time”, thotë Krasniqi që stërvitej deri në tri orë me top.
Akademia e rinisë së Krasniqit ishte kantieri i ndërtimit. Në këtë vend ai mësoi disiplinën. Në gusht të vitit 2013, ai bërë tentativën e dytë në futbollin profesionist. Krasniqi nënshkroi për Ankarasporin, elitën turke, por u huazua në kategorinë e dytë te Fethiyespor dhe bëri 33 paraqitje në ligë në sezonin e parë. Një vit e gjysmë më vonë, Krasniqi pati një mosmarrëveshje me drejtuesit e klubit për mungesën e pagesave dhe u kthye sërish në Gjermani, në kantierin e ndërtimit. Gjashtë muaj më vonë ai mori një telefonatë nga një agjent në Malajzi dhe shkoi në Vietnam për të provuar veten në seancat stërvitore. Pastaj klubi i divizionit të parë, Kedah FC, e mori atë nën kontratë. Në Malajzi, Krasniqi tërhoqi vëmendjen. Fotografitë dhe videot e familjeve malajziase që u vendosin fëmijëve të tyre emrin Liridon mund të gjenden në internet. Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Malajzisë nuk i quanin fëmijët e tyre me emrin Liridon, por ata donin që mesfushori të luante për ekipin kombëtar. Në fakt, rregullat e natyralizimit në Malajzi janë të rrepta - duhet të keni jetuar në vend për dhjetë nga dymbëdhjetë vjetët e fundit. Krasniqi iu bashkua Kedah FC në vitin 2015 dhe mori nënshtetësinë në vitin 2020.
“Kur politikanët dhe tifozët punojnë për të siguruar që unë të luaj për ekipin kombëtar, ndonjëherë ndodh një mrekulli, siç ndodhi me mua”, thotë ai.
Krasniqi aktualisht është nën kontratë me Johor DT dhe ka luajtur rregullisht para dhjetëra mijëra tifozëve në Ligën e Kampionëve të Azisë. Ai i kaloi dy vjetët e fundit në huazim në Australi dhe Indi.
Krasniqi këtë muaj ka luajtur në ndeshjet kualifikuese të Botërorit me Malajzinë.
“Një karrierë profesionale nuk ishte planifikuar kurrë për mua. Unë kam pasur një karrierë më të mirë se 80 për qind e lojtarëve të Bundesligës. Nuk kishte ashensor, shkallët i ndërtova vetë”, insiston Krasniqi.