Kur gjashtë vjet më parë Arijan Ademi kaloi nga Përfaqësuesja e Kroacisë tek ajo e Maqedonisë së Veriut, thuajse askush nuk ka besuar se kapiteni aktual i Dinamos së Zagrebit do të luajë në ndonjë ngjarje të madhe.
Maqedonia e Veriut ishte dhe vazhdon të jetë përfaqësuese dukshëm më e vogël se Kroacia që luan rregullisht në ngjarje të mëdha dhe që është nënkampione në fuqi e botës. Ademi kishte vendosur që të mos i përgjigjej më pozitivisht ftesës eventuale nga Kroacia, pasi ishte lënë jashtë ekipit për Botërorin e vitit 2014. Menjëherë më 9 tetor të vitit 2014 luajti ndeshjen e parë për Maqedoninë, në kualifikimet për “Euro 2016”.
Tani Ademi do të luajë për Maqedoninë e Veriut në “Euro 2020”, që mbahet vitin tjetër. Këtë sukses historik, kualifikimin e parë në një ngjarje të madhe, Maqedonia e Veriut e arriti të enjten mbrëma. Në finale të plejofit për kualifikim në Evropian, Maqedonia e Veriut e mposhti Gjeorgjinë në Tbilisi me rezultatin 1:0. Ishte plejofi i dalë nga Liga D e Ligës së Kombeve. Në gjysmëfinale të plejofit, Maqedonia V. e kishte mposhtur pikërisht Kosovën, një muaj më parë në Shkup, transmeton KOHA.
Ademi, si shumë herë në karrierë, ka sakrifikuar për të luajtur për Maqedoninë e Veriut të enjten mbrëma në ndeshjen vendimtare. Ai kishte lëndim dhe nuk pritej të luante. Por, u paraqit në fushë pasi mori injeksion kundër dhimbjes, kanë njoftuar mediumet kroate. Ademi luajti deri në minutën ‘66 dhe dha kontribut të çmuar te Maqedonia e Veriut. Te kjo përfaqësuese startuan edhe Visar Musliu, Egzon Bejtullai e Ezgjan Alioski. Enis Bardhi, një tjetër lojtar i rëndësishëm i Maqedonisë së Veriut, mungoi për shkak të një lëndimi.
Maqedonia V. në “Euro 2020” do të luajë në grup me Holandën, Ukrainën e Austrinë.
Edhe
Pas largimit nga Dinamo, Ademi nuk e mban nivelin
Ademi luan mesfushor defanziv dhe shquhet për angazhimin. 29-vjeçari kishte luajtur për të gjitha grupmoshat e Kroacisë, ndërsa për Përfaqësuesen A të këtij vendi luajti tri ndeshje në vitin 2013. Për Maqedoninë e Veriut tashmë ka arritur në shifrën e 17 ndeshjeve dhe tre golave. Te Maqedonia është prej lojtarëve bartës.
“Secili sportist jeton për të shkuar në Evropian. Unë e realizova këtë synim. Pakkush ka besuar se unë do të paraqitem në ndonjë ngjarje të madhe”, ka thënë Ademi për “24sata.hr”.
Te Dinamo është i pazëvendësueshëm. Dinamo e kishte transferuar në vitin 2010 nga Shibeniku. Në vitin 2012 e kishte huazuar për pak kohë te Lokomotiva, ndërsa shpejt ishte shndërruar në bartës të lojës në mesfushë të Dinamos, gjigantit kroat të futbollit.
Jo gjithnjë gjërat i kanë ecur mbarë Ademit. Në tetor të vitit 2015 kishte dalë pozitiv në testin për doping. UEFA e kishte suspenduar për katër vjet, por në mars të vitit 2017 dënimi iu zvogëlua në dy vjet. Ai filloi të luante menjëherë në tetor të vitit 2017. Dinamo i kishte qëndruar në krah gjatë pezullimit dhe Ademi vazhdoi të luajë për këtë skuadër. Vazhdon të luajë ende. Më herët këtë vit ka pasur përplasje me klubin, pasi ishte akuzuar se ka refuzuar ulje të pagës. Ai ishte arsyetuar se versioni që kishte dalë në media ishte larg prej asaj që kishte ndodhur vërtet.
Por, Ademi kaloi edhe këtë sfidë dhe vazhdon të jetë kapiten i Dinamos. Me skuadrën nga Zagrebi paraqitet rregullisht edhe në kupa evropiane, shpesh në Champions. Tani do të luajë edhe në Evropian.
“Nuk jam pishman që kam ndryshuar përfaqësuesen. Nuk kam dashur ta pres më ftesën e selektorit kroat”, ka thënë Ademi. Ish-selektori i Kroacisë, Niko Kovaç, i kishte thënë që të mendojë më shumë para se të vendosë ta ndryshojë përfaqësuesen.
“Ashtu është. Por, ia kam dhënë fjalën Maqedonisë dhe nuk kam dashur ta prish marrëveshjen. Më kanë pranuar shumë mirë. Në përfaqësuese ishte edhe Agim Ibraimi, i afërmi im. Ai më ka lehtësuar shumë gjërat”, ka thënë Ademi.
Edhe
Pas plejofit për Evropian, Kosova pa Amir Rrahmanin edhe në plejofin për Botëror
Ademi ka lindur e është rritur në Shibenik, ndërsa prindërit i ka shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.
“Flas unë pak gjuhën maqedonase, por me bashkëlojtarë më së shumti merrem vesh në gjuhën shqipe. Flas edhe kroatisht, shumica e kuptojnë”, ka theksuar Arijan Ademi.