Sport

Karateistët të bindur se do të fitojnë medalje në Evropian

Ekipi i Kosoves ne karate

Evropiani nuk është ngjarje e panjohur për karateisten Fortesa Orana.

Orana ishte afër ta sigurojë luftën për vend të parë në Kampionatin Evropian që u mbajt në Poreç të Kroacisë vitin e kaluar. Por finalen ia pati mohuar një lëndim i pësuar në gjysmëfinale të Evropianit të karatesë.

Orana e kategorisë mbi 68 kilogramë nuk ia doli të renditet as e treta. Kishte pësuar humbje në luftën për medalje të bronztë. Edhe në vitin 2019, Orana pati përfunduar e pesta në Evropian, ndërsa në Evropianin e vitit 2017 ishte larg zonës së medaljeve. Fortesa Orana nuk dëshiron të jetë vetëm pjesëmarrëse në Evropianin e saj të katërt. Synon medalje. Ajo dhe 15 karateistë të tjerë të Kosovës kanë mbërritur të hënën në Gaziantep të Turqisë, ku prej të enjtes deri të dielën do të mbahet Evropiani për seniorë.

Orana dhe Elhami Shabani janë karateistët më me përvojë nga ekipi i Kosovës që do të marrë pjesë në Evropianin e Turqisë. Edhe pritjet për medalje janë më të mëdha nga Orana dhe Shabani.

“Dy herë kam përfunduar e pesta në Evropian. Mendoj që këtë Evropian jam më e përgatitur fizikisht dhe psikikisht. Besoj në aftësitë e mia, që nga ky Evropian do të kthehem me medalje”, ka thënë Orana të hënën për KOHËN.

Synimin që kishte në Evropianin e vitit të kaluar nuk arriti as Elhami Shabani. U kthye pa medalje në Kosovë. Pati përfunduar i shtati i Evropës në kategorinë deri 75 kilogramë. I shtati e pati mbyllur edhe Evropianin të mbajtur në Spanjë në vitin 2019, derisa në vitet 2015 dhe 2017 nuk pati plasman të mirë.

“Kësaj radhe e ndiej veten që jam më i përgatitur se herëve të tjera. Kam përvojën dhe besimin shumë më të madh për t’u kthyer në Kosovë me medalje”, ka thënë Shabani për KOHËN.

Shabani është ndër më të mirët që ka Kosova prej karateistëve. Më i suksesshmi është Herolind Nishevci, që para pak kohe njoftoi për përfundim të karrierës. Ishte largim i papritur pas medaljes së bronztë të fituar në Evropianin e vitit të kaluar. Nishevci ka fituar edhe një medalje tjetër të rëndësishme në karrierë. Ai në vitin 2016 pati zënë vendin e tretë në Botëror.

“Jam nisur nga Kosova për në Turqi veç për medalje. Kam ushtruar fort që një vit për këtë Evropian. Mendoj që jam goxha i përgatitur. Shpresoj të jetë dita ime e të kem pak fat sportiv në short për të ecur rrugës për medalje”, është shprehur Shabani.

Shabani uron që edhe dy vëllezërit e tij dhe garuesit e tjerë të Kosovës të kenë suksese në Evropian. Është e rrallë që tre vëllezër të jenë pjesëmarrës si senior në një ngjarje të madhe. Shpresim Shabani garon në kategorinë deri 67 kilogramë, ndërsa Benjamin Shabani në kategorinë mbi 84 kilogramë.

“Prezenca e vëllezërve të mi do të jetë një motiv shtesë dhe mbështetje e madhe. Jemi përgatitur të tre vëllezërit, sepse e kemi pritur gjatë këtë moment. Shpresoj në rezultat pozitiv e po ashtu edhe medalje nga vëllezërit dhe karateistët e tjerë të Kosovës”, ka deklaruar Elhami Shabani.

Nga Shabani dhe Orana medalje pret edhe selektori, Ylber Syla.

“Në bazë të asaj që kemi parë në kamp këto ditë në Ulqin, është vërejtur një formë shumë e mirë nga garuesit. Dhe jam shumë optimist se do të kemi një paraqitje shumë të mirë. Pres medalje nga Elhami Shabani, i cili është garuesi më me përvojë dhe është në formë shumë të mirë. Njëkohësisht pres edhe nga Fortesa Orana. Ajo është në formë shumë të mirë dhe pati një paraqitje shumë të mirë në garat në Rabat dhe Lisbonë. Por, nuk do të thotë se në kategoritë e tjera nuk presim medalje, ku forma e secilit garues është shumë e mirë. Atmosfera në ekipin e Kosovës është shumë e mirë. Shpresoj që mundi i garuesve dhe i yni të shpërblehet”, ka thënë Syla për KOHËN.

Kosova ka suksese të mëdha në sporte individuale, kryesisht në xhudo. Ditë më parë Donjeta Sadiku fitoi medalje të bronztë në Botërorin e boksit të mbajtur në Stamboll. Por të arriturat kulmore Kosova i ka falë xhudisteve Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova. Ato kanë medalje të artë olimpike.