Sport

Kapiteni shqiptar i skuadrës së madhe zvicerane vazhdon kontratën edhe për tre vjet

Superliga e Zvicrës në futboll është e mbushur me lojtarë shqiptarë. Por lojtarë shqiptarë ka edhe në Superligën e Zvicrës në hendboll. Dy prej tyre madje janë kapitenë. Bëhet fjalë për Valon Dedajn, që është kapiten i skuadrës Kreuzlingen dhe po ashtu i përfaqësueses së Kosovës. Ndërkohë, pivoti i Kosovës, Luigj Quni, është kapiten i skuadrës zvicerane, Amicitia Zuerich.

Skuadra, që lider në fushën e lojës e ka Qunin, aktualisht është e treta në elitën zvicerane. Ka 31 pikë, sa edhe Kriensi i vendit të dytë. Lider është Kadetten Schaffhausen me 39 pikë.

Të martën, GC Amicitia Zuerich ka njoftuar se me Qunin e ka vazhduar kontratën edhe për tre vjet, deri në fund të edicionit 2026/27. 27-vjeçari i ka 38 paraqitje për Kosovën. Ai i është bashkuar Zuerichut në moshën 17-vjeçare nga Thalwili. Në 164 ndeshjet e deritashme në elitën helvetike, Quni ka shënuar 327 gola. Shquhet për angazhimin e madhe dhe luftën sportive deri në fund.

Quni kishte periudhë te Winterthuri dhe tek Arendali në Norvegji, ndërsa është kthyer te skuadra e Zuerichut në vitin 2020. Ndërkohë, u “gradua” në kapiten dhe si kapiten e fitoi Kupën e Zvicrës në vitin 2022.

“Më pëlqen të ushtroj me djemtë në sallën tonë, të përmirësohemi dhe të punojmë me përkushtim drejt titullit të kampionit. Kam gjetur vendin tim dhe vendimi për të vazhduar kontratën ishte i lehtë për mua. Ndihem i vlerësuar në klub si lojtar dhe si kapiten”, ka thënë Quni.

Tek Amicitia Zuerich ndihen të lumtur që Qunin e kanë në radhët e tyre e jo rival.

“Luigj Quni e do dhe e jeton hendbollin maksimalisht. Ai është lojtar që shquhet për mentalitetin dhe i jep ekipit shumë energji brenda dhe jashtë fushës. Jemi të lumtur që e kemi kapitenin tonë në skuadër në vitet e ardhshme”, ka thënë drejtori sportivi i Amicitia Zuerich, Gabor Vass.

Hendbolli në Zvicër po rritet vazhdimisht. Prej kësaj po përfiton edhe Kosova, që disa prej lojtarëve të rëndësishëm i ka në këtë vend. Numri i hendbollistëve shqiptarë në Zvicër megjithatë nuk u afrohet numrit të futbollistëve shqiptarë në këtë vend.