Futboll

Jo vetëm në futboll, Federata zvicerane i do shqiptarët edhe në hendboll

Granit Xhaka

Granit Xhaka është kapiten i Zvicrës në futboll. Xherdan Shaqiri ka shkruar histori duke përfaqësuar Zvicrën. Tani është lojtari më i njohur në Superligën zvicerane.

Thuajse secila skuadër e futbollit në Zvicër ka futbollistë shqiptarë në përbërje. Ndikimi i tyre është i madh. Në fakt ndikimi i shqiptarëve në gjithë shoqërinë zvicerane tani është i konsiderueshëm.

Por në sportet e tjera në Zvicër shqiptarët nuk prezantohen sa duhet. Shumica e familjeve shqiptare janë të fokusuar në futboll dhe fëmijët i dërgojnë në ekipe futbolli.

Kjo synohet të ndryshohet nga Federata e Hendbollit e Zvicrës. Kjo federatë, përkatësisht zyrtarë të saj, kanë inicuar programin “Handball verbindet uns – Hendbolli na bashkon”. Ky program fillon në nëntor dhe përmes tij synohet që sa më shumë shqiptarë që jetojnë në Zvicër të bëhen pjesë e klubeve zvicerane të hendbollit.

Idenë e ka dhënë David Wertli i Federatës zvicerane, që është edhe menaxher i projektit. Ai fillimisht ka kontaktuar me Pashke Markun, hendbollisten shqiptare që luan për Kreuzlingenin në Zvicër dhe që ishte pjesë e rëndësishme e përfaqësueses së Kosovës.

25-vjeçarja është marrë si model se si një shqiptare mund të integrohet në hendbollin zviceran. Pashkja i ka shënuar mbi 700 gola në Superligën e Zvicrës, ndërsa i ka luajtur mbi 170 ndeshje. Vazhdon të luajë ende.

Pashkja, përmes programit, synon ta përcjellë te shqiptarët e tjerë në Zvicër entuziazmin për hendbollin.

Te Kreuzlingeni aktualisht janë pesë hendbollistë shqiptarë e katër hendbolliste shqiptare. Por, në klubet e tjera helvetike prania e shqiptarëve është fare e vogël. Ka pak edhe në kategori të reja, ndërkohë që në klubet e futbollit në kategoritë e reja numri i shqiptarëve është shumë i madh.

Faza e parë e programit do të realizohet me stërvitje të hapura për fëmijët shqiptarë dhe familjet e tyre që do të mbahen në katër qendra të ndryshme në Zvicër në nëtor. Stërvitjet do të udhëhiqen nga trajnerë e lojtarë shqiptarë, që komunikimi të jetë më i lehtë. Më 2 nëntor do të mbahen stërvitje të hapura për shqiptarët në Basel dhe St. Gallen. Më 9 nëntor janë stërvitjet në Luzern dhe në Aarau.

Pashke Marku do të jetë trajnere në St Gallen, Rina Slishani në Aarau, Fidan Korqaj në Luzern dhe Premtim Zeqaj e Sara Gjergjaj në Basel. Ambasadorë të projektit janë Luigj Quni e Martina Bibaj. Quni është reprezentues i Kosovës dhe kapiten i klubit të madh zviceran, Amicitia Zuerich.

Programi “Hendbolli na bashkon” do të realizohet në bashkëpunim me Federatën e Hendbollit të Kosovës.

“David Wertli e ka pasur idenë për të afruar në hendboll të rinj me prejardhje nga vende të tjera. E kanë parë që në Zvicër ka shumë të rinj me prejardhje nga vende të tjera, por shumë pak prej tyre luajnë hendboll. Shumë të rinj, shumë shqiptarë, luajnë futboll, por jo edhe hendboll. Ai më ka telefonuar dhe më ka prezantuar projektin për përfshirjen e shqiptarëve. Shqiptarë ka shumë në Zvicër, ka shumë që luajnë futboll, por pak që luajnë hendboll”, ka thënë Pashke Marku të hënën për KOHËN.

Synimi i programit është i qartë – më shumë shqiptarë në klubet zvicerane të hendbollit. Dhe stërvitjet e hapura në katër vende janë hapi i parë i programit. Do të tentohet të joshen fëmijët për të bërë karrierë në hendboll, duke ua prezantuar atyre sportin, duke u treguar se sa lojë interesante është. Federata zvicerane e vlerëson shumë të rëndësishëm afrimin e shqiptarëve, ndoshta edhe për shkak të suksesit madhor të tyre në futboll.

“Nëse ka shumë fëmijë shqiptarë në futboll pse mos të ketë edhe në hendboll. Përmes stërvitjeve do t’u tregojmë fëmijëve dhe familjeve të tyre se edhe shqiptarët luajnë hendboll dhe se janë të suksesshëm. Pra, që nuk ekziston vetëm futbolli”, ka shtuar Marku.

Pjesë e programit është edhe paraqitja e përfaqësueses së Kosovës në turneun “Yellow Cup” që mbahet në Zvicër, në janar. Nëse programi zhvillohet mirë, atëherë pjesë e tij do të jetë edhe angazhimi i të rinjve të talentuar nga Kosova në Akademitë e klubeve zvicerane të hendbollit.

“Projekti është shumë ambicioz dhe afatgjatë. Por është shumë e rëndësishme që stërvitjet e para të shkojnë mirë, që numri i shqiptarëve të interesuar të jetë i kënaqshëm. Nuk do të ndalemi me këto stërvitje”, ka shtuar Marku.

Prej sistemit sportiv në Zvicër kanë përfituar shumë edhe ekipet përfaqësuese të Kosovës e Shqipërisë, që kanë në radhët e tyre futbollistë të rritur në Zvicër. Kanë përfituar edhe ekipet përfaqësuese të Kosovës në hendboll, por përfitimet mund të jenë dukshëm më të mëdha nëse ky program ka sukses.