Kapiteni i Malit të Zi, mbrojtësi Stevan Saviq, ka vlerësuar lart futbollistin shqiptar Driton Camaj dhe mesfushorin e Ballkanit, Edvin Kuç.
Saviq, cili është pjesë e Atletico Madridit, ka folur për dy futbollistët në prag të ndeshjes me Serbinë. Dueli mes Serbisë dhe Malit të Zi zhvillohet të martën në Beograd prej orës 20:45 dhe i takon Grupit G të kualifikimeve për “Euro 2024”.
Camaj është sulmues krahu dhe bën karrierë te Kisvarda në Hungari. Ai ka debutuar me fanellën e Malit të Zi në qershor të vitit të kaluar. Deri më tani 26-vjeçari ka një gol të shënuar në tetë paraqitje. Ndërkohë Kuç është ftuar te Mali i Zi për herë të parë në grumbullimin e këtij muaji. Javën e shkuar pati debutim fantastik me fanellën e Malit të Zi. Në ndeshjen miqësore kundër Libanit, të luajtur në Podgoricë, 29-vjeçari Kuç shënoi dy gola në fitoren me rezultatin 3:2. Kapiteni i Ballkanit ishte titullar në atë takim dhe luajti deri në minutën e 65-të. Mbetet të shihet nëse do të ketë minutazhë në duelin kualifikues ndaj Serbisë.
Kuç është kapiten dhe lojtar shumë i rëndësishëm i Ballkanit të Suharekës, ekip të cilit iu bashkua në janar të vitit 2019 nga Rudari i Plevlës. Ai me Ballkanin ka fituar dy tituj kampioni të Kosovës dhe po paraqitet për edicionin e dytë rresht në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën, Saviq ka thënë se Mali i Zi ka në radhët e veta lojtarë interesantë. Ka vlerësuar se ardhja e mesfushorit Kuç i ka dhënë energji të re dhe freski ekipit.
Edhe
Kuç vazhdon të jetë vendimtar, tani te Mali i Zi
“Kemi lojtarë interesantë në ekipin tonë. Driton Camaj në çdo ndeshje që ka luajtur ka pasur paraqitje të mirë, përfshirë këtu edhe duelin me Libanin ku ishte startues. Përfaqësuesja mund të them se është freskuar në aspektin sulmues, sidomos me ardhjen e disa lojtarëve të rinj”, është shprehur Saviq.
“Edvin Kuç ka pasur një debutim fantastik me Malin e Zi. Shënoi dy gola dhe ka sjellë në ekip energji të re. Pra, në përgjithësi kemi lojtarë me karakteristika të ndryshme, të cilët përkrah neve që kemi përvojë mund të duken mirë në fushë”.
Aktualisht Serbia është e dyta në grupin G me 10 pikë dhe një ndeshje më shumë të zhvilluar se Mali i Zi, i cili në pesë takime të luajtura deri më tani ka tubuar 8 pikë. Grupit i prin Hungaria me 13 pikë, që po ashtu ka zhvilluar pesë ndeshje deri më tani.
Kapiteni Saviq është kujdesur për t’iu dhënë këshilla lojtarëve të rinj të Malit të Zi para duelit të rëndësishëm me Serbinë. Ndeshja vlerësohet me shumë peshë jo vetëm në aspektin sportiv. Paraqitja eventuale e Kuçit në Beograd do të ishte me peshë të madhe.
Edhe
Kapiteni i Ballkanit ftohet nga Mali i Zi
“Duhet të jemi vetëdijshëm, sidomos lojtarët e rinj, që mos të kenë presion sepse nuk jemi ekip që pas vetes kemi paraqitje në ngjarje të mëdha. Këtë ndeshje duhet ta shikojmë si rast që mund ta shfrytëzojmë për t’iu afruar një hap Evropianit”, është shprehur Saviq. “Sigurisht, ndeshja nuk do të jetë aspak e lehtë për shkak se në lojë është pozita e dytë në grup. Megjithatë mendoj se jemi të gatshëm për të dalë në fushë që të marrim një rezultat pozitiv”.
Për dallim prej Malit të Zi që këtë muaj luan vetëm një ndeshje në kuadër të eliminatoreve, për Serbinë kjo do të jetë përballja e dytë në Grupin G. Javën e shkuar Serbia u mposht nga Hungaria me rezultatin 2:1 në duelin e luajtur në Budapest.