Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, tha të mërkurën se ai u transferua te Bayern Munichu “për të ndier një presion të ri për të fituar tituj çdo vit”. Kane, 30 vjeç, u largua nga Tottenhami në një marrëveshje mbi 100 milionë euro pasi kaloi gjithë karrierën e tij me klubin e tij të fëmijërisë. Duke folur për “Sky Sports”, Kane zbuloi se dëshira e tij për të luajtur vazhdimisht në nivelin më të lartë ishte pas lëvizjes së tij te Bayerni.
“Shumë njerëz flasin për trofetë dhe pse erdha këtu, por në fund ishte të përmirësohesha dhe të ndieja një presion të ri për të fituar tituj çdo vit, për të shkuar larg në Ligën e Kampionëve dhe për ta shtyrë veten deri në atë kufi”, tha Kane.
Kane u largua nga Tottenhami si golashënuesi më i mirë i skuadrës me 280 gola në të gjitha garat, por nuk ngriti asnjë trofe gjatë kohës së tij në veri të Londrës. Tottenham humbi finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2019 nga Liverpooli, si dhe dy finale të Kupës së Ligës gjatë qëndrimit të Kanes në klub. Gjashtë herë kampion i Evropës, Bayerni, ka fituar 11 titujt e fundit të Bundesligës dhe është favorit për një sukses të tillë edhe në edicionin 2023/24. Kane insistoi se arritjet e ekipit dhe jo qëllimet individuale ishin fokusi i tij kur vendosi t’i bashkohej klubit bavarez.
“Sigurisht se fokusi im primar është të fitoj trofe me Bayernin. Nëse e arrij këtë, do të thotë se unë do të shënoj gola, gjë që më pas do të më mundësojë të fitoj çmime individuale. Por, unë jam te Bayerni për trofe”, u shpreh Kane.
Kane debutoi të shtunën e shkuar për Bayernin kur u inkuadrua nga stoli në ndeshjen e Superkupës së Gjermanisë, të cilën bavrezët e humbën me rezultatin 3:0. Në fakt, Kane debutoi vetëm pak orë pasi e firmosi kontratën dhe u prezantua si përforcim i Bayernit. Ai mund të bëjë debutimin e tij në Bundesligë të premten në ndeshjen që Bayerni e luan në udhëtim te Werder Bremeni. Sulmuesi, i cili është edhe golashënuesi më i mirë i Anglisë, tha se do ta shijonte presionin për të luajtur për një nga klubet më të mëdha të Evropës.
“Kur je në një klub si Bayern Munichu duhet të fitosh. Nuk ka dyshim për këtë. Nëse nuk fitoni ose nuk performoni mirë, do të ketë dyshime dhe kritika. Këtë e kam parasysh, por unë jam i gatshëm për të përballuar gjithë presionin dhe për ta ndihmuar klubin”, u shpreh Kane.
Kane tha se ai e dinte se largimi nga Anglia do të ishte “i çuditshëm në fillim”, por shtoi se gradualisht po adaptohet me ambientin e ri.
“Do të më mungojë në fillim Anglia, por mendoj se fokusi im është këtu. Jam shumë i emocionuar për këtë sfidë dhe besoj se do ta shpaguajë besimin e madh të Bayernit që e ka tek unë”, tha Kane.