Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kanadaja do të udhëtojë me shpatë në Botërorin e Katarit

Përfaqësuesja e Kanadasë ka ndërmend të jetë e armatosur në Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Në fakt, Kanadaja udhëton me një shpatë që u kap nga zyrtarët e Kosta Rikës para ndeshjes kualifikuese të javës së shkuar në San Jose. E me këtë shpatë, që tashmë i është kthyer Kanadasë pas konfiskimit, do të jetë pjesë e ekipit që do të paraqitet në Kampionatin Botëror në fund të këtij viti.

“Shpata është diçka që simbolizon Kanadanë e Re”, pranoi përzgjedhësi i Kanadasë, John Herdman. “Unë u thashë futbollistëve se ne kemi pasur gjithmonë një mburojë dhe për këtë arsye e krijuam një shpatë. Në shpatë shkruan ‘Nihil timendum est’, që është ‘Mos ki frikë nga asgjë’. Dhe, kjo është Kanadaja e Re. Kjo është motoja me të cilën duam të luajmë”.

Javën e shkuar, Kanadaja e konfirmoi pjesëmarrjen në Kampionatin Bortëror, pasi e mposhti Xhamajkën me rezultatin 4:0. Për Kanadanë, kjo do të jetë hera e parë që do të paraqitet në këtë ngjarje që nga viti 1986.

“Shpata hyn me ne në çdo stadium për të simbolizuar se ne do të zotërojmë terrenin dhe do të jemi Kanadaja e Re”, shpjegoi përzgjedhësi Herdman.

Megjithatë, kjo traditë e Kanadasë për të udhëtuar dhe futur në stadium me shpatë, u prish gjatë udhëtimit në Amerikën Qendrore për t’u përballur me Kosta Rikën. Mediumet e Kosta Rikës raportuan se zyrtarët doganorë e kishin konfiskuar shpatën pas mbërritjes së ekipit kanadez me fluturim charter. E bazuar në rregullat në fuqi të Kosta Rikës, shpata ishte në mesin e llojeve të armëve që nuk mund të futej. Kështu që, doganierët ishin të detyruar ta konfiskojnë shpatën nga ekipi kanadez. Madje, gazetat publikuan edhe fotot e shpatës, një armë e gjatë që ishte futur në një kuti të zezë që kishte brenda një pëlhurë të kuqe. Ndërsa, në dorezën e shpatës ishin fjalët: Katar 2022. E pa shpatën në stadium, Kanadaja i dha fund serisë pozitive prej 17 ndeshjeve pa humbje, pasi e mbylli fushatën kualifikuese me humbje 1:0 nga Kosta Rika. Megjithatë, Kosta Rika tashmë ia ka kthyer shpatën Kanadasë, gjë të cilën e konfirmoi edhe përzgjedhësi Herdman.

“E kemi marrë shpatën, të cilën e patëm me vete në ndeshjen kundër Xhamajkas. Shpata na ndihmoi të fitojmë dhe të sigurojmë kualifikimin në Botëror pas një pritjeje shumë të gjatë”, u krenua Herdman.

Shpata është shumë e rëndësishme për Kanadanë, pasi shpreson që t’i sjellë fat edhe në Kampionatin Botëror. Në çdo ndeshje të këtij turne, kanadezët do ta fusin shpatën në stadium. Mirëpo, në Federatën e Futbollit të Kanadasë nuk deshën të japin më shumë detaje për shpatën e tyre.

“Nuk mund të flas për këtë”, tha Jason DeVos drejtori i federatës, kur u pyet për shpatën. /AP

Artikuj të ngjashëm