Kampioni në fuqi i Italisë, Milani, të shtunën prej orës 18:00 e zhvillon në udhëtim ndeshjen e xhiros së 18-të të Serie A. Milani luan kundër Lecces.
Lecce aktualisht është në mesin e tabelës, por ka vetëm 10 pikë më shumë se skuadrat e zonës së rrezikshme. Milani është i treti me 37 pikë dhe synon ta mbajë hapin me Napolin dhe Juventusin.
Interi, që lëshoi pikë në xhiron e kaluar kundër Monzas, ka mbetur prapa në luftën për titull. Të shtunën nga ora 20:45, takohet me skuadrën e Veronas. Interi është i katërti me 34 pikë.
Dy skuadrat nga Milano do të luajnë në mesin e javës tjetër në finalen e Superkupës së Italisë.
Të dy skuadrat do të mundohen ta fitojnë trofeun e parë të këtij edicioni, që do të ishte me shumë rëndësi për mentalitetin e lojtarëve.
Ndeshje me rëndësi do të jetë ajo ndërmjet Romës dhe Fiorentinës, që luhet të dielën nga ora 20:45.
Në ballafaqimin e fundit Roma nuk u dorëzua dhe luajti deri në fund, duke marrë ndaj Milanit një pikë të vlefshme në garën për top-katërshe.
Roma pozicionohet në vendin e shtatë me 31 pikë, tri më pak se Interi që zë pozitën e katërt.
Fiorentina ka 23 pikë në pozitën e nëntë.