Sport

Kampioni kthehet në vendin ku Kosova debutoi në Champions

Duhet të kalojnë edhe disa javë që të dihet kampioni i ri i Kosovës në futboll. Por tashmë dihet se kampioni në pjesën e dytë të qershorit do të ketë një udhëtim të gjatë për të luajtur një apo dy ndeshje të Ligës së Kampionëve.

Në garë për titull të kampionit janë Drita, Ballkani e Prishtina. Njëra prej tyre në muajin qershor do të udhëtojë për në Ishujt Faroe. Kampioni i këtij vendi, Havnar Boltfelag (HB), ka bërë të ditur se ndeshjet kualifikuese të Championsit do të luhen në Ishujt Faroe.

HF ka fituar titullin e kampionit në vitin 2020 dhe ka siguruar paraqitjen në raundin preliminar të Championsit për edicionin e ardhshëm, 2021/2022.

Në raundin preliminar paraqiten kampionët e katër vendeve, federatat e të cilave janë të ranguara më së ulëti në UEFA. Pos kampionit të Kosovës, në fazën e parë të garës elitare të Evropës për klube paraqiten edhe kampionët e Ishujve Faroe, Andorrës e San Marinos. Prej raundit preliminar vetëm ekipi më i mirë kalon në raundin e parë kualifikues.

Dy gjysmëfinale të raundit preliminar luhen më 22 qershor, ndërsa finalja është më 25 qershor. Fituesi i finales kalon në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Shorti i raundit preliminar tërhiqet më 8 qershor.

“Tani është e qartë se kualifikimet e Ligës së Kampionëve do të luhen në Ishujt Faroe. Pos ekipit tonë, do të jenë edhe kampionët e San Marinos, Andorrës dhe Kosovës. Gjysmëfinalet do të luhen më 22 qershor, ndërsa finalja më 25 qershor”, ka njoftuar klubi HB.

Se UEFA e ka njoftuar klubin HB se do të organizojë ndeshjet e raundit preliminar të Championsit është konfirmuar edhe për KOHËN.

“Disa ditë më parë ne jemi informuar nga UEFA se ndeshjet kualifikuese do të luhen në Ishujt Faroe nga 22 deri më 25 qershor 2021”, ka njoftuar Jan Otto Holm, zyrtar në klubin nga Ishujt Faroe.

Kampioni i Kosovës do të jetë favorit për të avancuar tutje. Kosova tashmë e ka koeficientin më të lartë se Ishujt Faroe, Andorra e San Marino. Ai rritet përmes rezultateve.

Drita, Ballkani apo Prishtina do ta kenë rastin për të luajtur në vendin ku edhe filloi historia evropiane e skuadrave kosovare të futbollit. Më 27 qershor të vitit 2017, kampionia e atëhershme e Kosovës, Trepça ’89, luajti ndaj Vikingurit në Torshavn. 2:1 në të mirë të Vikingurit përfundoi ndeshja e parë e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Më 4 korrik në ndeshjen e kthimit të luajtur në Mitrovicë, Vikinguri fitoi thellë, 4:1, dhe avancoi në raundin e dytë kualifikues. Trepça ’89 ishte skuadra e parë kosovare që luajti në kupa evropiane.

Në edicionin vijues u përfshi raundi preliminar. Ndeshjet në formë turneu u luajtën në Gjibraltar. Drita që tashmë ishte kampione e Kosovës e fitoi gjysmëfinalen ndaj Santa Colomas së Andorrës me 2:0 pas kohës shtesë. Po në kohën shtesë, në finale e mposhti Lincolnin e Gjibraltarit me shifrat 4:1. Në raundin e parë kualifikues, Dritën e kishte eliminuar Malmo e famshme e Suedisë.

Championsi i edicionit 2019/2020 kishte filluar në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në gjysmëfinale të raundit preliminar, Feronikeli kishte fituar 1:0 ndaj Lincolnit. Në finale, Feronikeli e mposhti Santa Coloman e Andorrës me shifrat 2:1.

TNS i Uellsit e kishte eliminuar skuadrën nga Drenasi në raundin e parë kualifikues.

Edhe vitin e kaluar turneu i raundit preliminar ishte parashikuar të mbahej në Prishtinë. Por pandemia ndryshoi situatën. Ndeshjet u luajtën në Zvicër dhe patën rrjedhë të keqe për kampionen e Kosovës, Dritën. Në fakt skuadra gjilanase e fitoi 2:1 gjysmëfinalen ndaj Inter d’Escalades të Andorrës. Por para ndeshjes finale dy lojtarë të Dritës dolën pozitivë në testimin për COVID-19. Kështu ndeshja nuk u zhvillua dhe Linfieldi i Irlandës së Veriut fitoi me rezultatin zyrtar 3:0 dhe avancoi në raundin e parë kualifikues. UEFA kishte vendosur t’i organizonte ndeshjet në Zvicër për shkak të situatës me koronavirus.

Për edicionin e ardhshëm, sipas njoftimit të klubit nga Ishujt Faroe, UEFA ka vendosur që ndeshjet të organizohen në Torshavn.

Suksesi në raundin preliminar vlerësohet shumë i rëndësishëm për kampionin kosovar. Ndër të tjera për qindra e mijëra euro që siguron kalimi i një raundi në Champions.

Dy skuadra të tjera kosovare, nënkampioni dhe fituesi i Kupës, do të luajnë në nivelin e tretë evropian, të rithemeluar tashmë. Niveli i tretë quhet Liga e Konferencës, ndërsa dy ekipet kosovare do të paraqiten në raundin e parë kualifikues. Do të jenë gjithsej 70 skuadra në këtë raund, kurse ndeshjet do të luhen më 8 e 15 korrik. Shorti është më 15 qershor.