Dy ligat kryesore të futbollit në Suedi kanë njoftuar se shpresojnë që të fillojnë edicionin më 14 qershor dhe me shikues në stadiume.
Suedia ka pasur qasje ndryshe ndaj koronavirusit, duke lënë shkollat e hapura e po ashtu duke lejuar punën e restoranteve dhe shitoreve. Në një rast kryeministri Stefan Loefven kishte kërkuar nga njerëzit që të sillen si të rritur.
Të martën është raportuar për 185 të vdekur në 24 orët e fundit nga Covid – 19, që është numri më i madh deri më tani. Por sipas përgjegjësve ky numër është kaq i madh për shkak të vonesës në raportim për rastet e fundjavës. Të dielën Suedia ka pasur 29 të vdekur për shkak të koronavirusit, ndërsa të hënën 40.
Gjithsej në Suedi nga koronavirusi kanë vdekur 1765 persona, ka njoftuar The Guardian.
Por klubet e futbollit synojnë të nisin garën me gjithë rëndimin e gjendjes. Kampionati në Suedi është dashur të nis në fillim të prillit, por është shtyrë pa afat. Të martën ligat elitare, Allsvenskan dhe Superettan, kanë njoftuar se e kanë caktuar 14 qershorin si datë të fillimit.
“Prej kur është shtyrë liga, synimi ishte që të luhen ndeshjet e para në fillim të qershorit. Tani mund të themi se data për të cilën po punojmë është 14 qershori. Synimi ende është të luhen të gjitha ndeshjet me shikues në stadiume”, thuhet në komunikatë.