Sport

Kalenderi, automobilisti që synon “garën në re”

Në fund të muajit të shkuar, Liridon Kalenderi triumfoi në garën më atraktive dhe të shumëpritur në disiplinën malore të automobilizmit në Kampionatin e Kosovës. Gara ishte në kalendarin zyrtar të FIA CEZ (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit për Zonën e Evropës Qendrore), për çka i shtoi peshë.

Anëtari i autoklubit "Prizreni D&G", Kalenderi me veturën e tij "Mitsubishi Evo 9", distancën prej 5.6 kilometrave e kaloi për kohë 03:14:374 minuta. Por në mendjen e Kalenderit është një garë tjetër malore, në të cilën po e synon pjesëmarrjen. Bëhet fjalë për garën "Pikes Peak", që ndryshe njihet si "Gara në re".

'Pikes Peak' është një mal i lartë në Kolorado dhe për shkak të lartësisë së madhe mbidetare ka marrë emrin edhe si "Gara në re".

"Synimi im që krahas pjesëmarrjes nëpër garat e Kosovës herë pas here, të paraqitem në Evropë, e sidomos në SHBA, ku dua ta sprovoj veten në 'Pikes Peak'. Kjo është gara që më tërheq shumë dhe në të cilën pres që së shpejti të bëj paraqitjen", është shprehur Kalenderi 36-vjeçar.

Gara "Pikes Peak" organizohet për motoçikleta dhe makina. Vlerësohet si gara më e vështirë në botë, për shkak të kthesave të shumta dhe rrugës që e gjitha është përpjetë. Garuesit duhet të kalojnë në një rrugë publike prej 20 kilometrave që përbëhet prej 156 kthesave për të arritur në majën e malit që ka lartësi mbidetare prej katër mijë metrave, ku edhe gjendet vija e finishit. E veçanta e kësaj gare është se përfundon për dhjetë minuta, por ka rrezikshmëri të lartë. Kjo, për shkak se mund të ketë kafshë në rrugë apo në vijën e startit të ketë rrufe, kurse në atë të finishit breshër. Rrezikshmëria është shumë e lartë. Garuesit nisin ngrohjen në lartësinë mbidetare prej një mijë metrash për të arritur te starti që është në lartësi prej 2.700 metrave... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)