Është një garë e motoçikletave si asnjë tjetër. Ndonjëherë ka kafshë në rrugë, nganjëherë rrufe në vijën e startit dhe ndonjëherë breshër në finish.
Garuesit kalojnë nëpër një rrugë publike prej 20 kilometrash me 156 kthesa për të arritur në majë të malit, në lartësi mbidetare prej katër mijë metrash, ku edhe është vija e finishit, shkruan CNN, transmeton “Koha Ditore”. Garuesit fillimisht nisin ngrohjen në lartësi mbidetare prej një mijë metrash për të arritur deri te starti që është në lartësi prej 2700 metrash.
Ndoshta askush nuk e di se në rrugët e malit Pikes Peak mbahet gara e motoçikletave “International Hill Climb” dhe se Carlin Dunne është legjendë e kësaj gare. Ndryshe, kjo garë njihet si “Gara në re” dhe se Dunne ka arritur të triumfojë katër herë.
“Pas garës, ndoshta duhen disa javë për t'u qetësuar dhe për ta marrë veten. Përvoja e kësaj gare nuk mund të kalohet lehtë”, thotë Dunne. “Natyrisht, që ndihem krenar me arritjet e mia, por unë shpresoj që këtë rekord ta zgjeroj edhe më shumë”.
Arritja e majës
Garuesi i Ducatit, që gjithashtu është edhe kaskader, thotë se ka vozitur motoçikletën “prej se ka filluar të ecë”. Babai i tij ka qenë një ngasës profesionist, derisa Dunne karrierën e ka nisur si shitës i motoçikletave. Dunne, 36-vjeçar, thotë se ndan të paktën gjashtë muaj për t'u përgatitur për këtë garë.
“Duhet të punosh krejtësisht diçka tjetër për t'u përgatitur sa më mirë, pasi nuk është aspak garë e lehtë. Është vështirë të arrish në vijën e finisht në atë lartësi. Kjo nuk mund të shpjegohet me fjalë, më besoni”, shprehet Dunne.
Për ta përfunduar garën duhen vetëm dhjetë minuta, por Dunne thotë se iu kushton rëndësi të madhe si përgatitjes fizike ashtu edhe asaj psikike. Thotë së shume lehtë mund të përfundosh jashtë shtegut ku pasojat janë të mëdha, andaj përgatitja psikike luan rol të rëndësishëm.
“Në disa raste kam mundur të përfundoj jashtë, por kam arritur disi ta menaxhoj situatën. Në këtë garë asgjë nuk është e garantuar dhe për këtë arsye jam shumë i përulur”, shprehet Dunne.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)