Alpinistët kosovarë, Mrika dhe Arianit Nikçi, zyrtarisht janë pjesë e librit të rekordeve “Guinness” për ngjitjen më të shpejtë në histori të shtatë majave më të larta të shtatë kontinenteve të botës – të njohura si “Seven Summits”, ka njoftuar Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive e Kosovës.
Babë e bijë e realizuan sfidën për 1 vit e 202 ditë, prej 25 janarit 2018 deri më 5 gusht 2019.
“Ky vlerësim botëror konfirmon arritjen e jashtëzakonshme të dy alpinistëve shqiptarë, të cilët brenda vetëm kësaj periudhe kohore ngjitën majat më të larta të çdo kontinenti: Everest, Aconcagua, Denali, Kilimanjaro, Elbrus, Carstensz Pyramid dhe Vinson Massif. Ky është një moment historik për Kosovën dhe shqiptarët, pasi për herë të parë emri i vendit tonë vendoset në Librin e Rekordeve Guinness për një arritje të këtij niveli në sportin ekstrem të alpinizmit. Ky rekord është një dëshmi e fuqishme e potencialit dhe vlerave që populli shqiptar përfaqëson në botë”, thuhet në komunikatën e Federatës.
Në njoftim të Federatës thuhet se suksesi i Mrika dhe Arianit Nikçit është burim krenarie dhe frymëzimi që tregon se asnjë ëndërr nuk është e paarritshme.
Mrika Nikçi u bë gjithashtu femra më e re në botë që ngjiti këto maja.