Ajo e nisi udhëtimin e saj për në majat më të larta të botës me ëndrrën e një vajze nga Kosova.
Sot, ajo është bërë e para nga Ballkani që përfundoi me sukses një nga sfidat më ekstreme në botë - ngjitjen e 14 majave mbi 8000 metra.
Pasi preku qiellin e Kanchenjungës, majën e tretë më të lartë në botë, prej 8586 metrash, alpinistja shqiptare Uta Ibrahimi u kthye në Kosovë, aty ku nisi edhe ëndrra e saj.
Me përfundimin historik të këtij projekti, ajo u prit me nderime të veçanta në aeroportin “Adem Jashari” nga ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nga familjarë e shumë dashamirë të saj.
Kanchenjunga nuk është thjesht një mal. Është një bjeshkë e akullt me shumë pak oksigjen, rrezik të vazhdueshëm ortekësh dhe temperatura ekstreme, majë që Uta arriti ta pushtonte falë përgatitjes së saj.
“Është maja e tretë më e lartë në botë dhe në të njëjtën kohë është maja më e lartë në Indi. Është ngjitje teknike pasi kemi qenë ekipi i parë që kemi arritur në maje e si e tillë ekipi e parë që duhet të fiksonte litarin, kështu që na ka marrë kohë me shkuar deri në maje, diku 20 orë. Kishte shumë gurë, akullnaja, në përgjithësi ka qenë ngjitja e fundit prej 14 majave dhe kam qenë e sigurt që do t’i shkojë deri në fund. Përveç sfidave ka qenë edhe një moment emocional që ia kam kushtuar krejt jetën time. Me shumë punë e pa u ndalur asnjëherë edhe në gjetjen e fondeve. Në botë jam vajza e parë me këtë arritje dhe jam personi i parë në Ballkan. Kjo më bën të ndihem shumë mirë. Kam bë çmos që ta sjellë emrin e Kosovës në majat më të larta në botë”, deklaron Ibrahimi.
Ajo tregon edhe momentet më të vështira që i pati gjatë këtij rrugëtimi.

“Ka plot momente, sa më afër majës ka shumë më pak oksigjen, është më ftoftë, gjithçka vjen edhe vështirësohet, sepse i ke katër ditë që i ke kaluar deri aty, mirëpo këto janë momente që jam ballafaquar në çdo maje. Motivi është shumë i madh. Momenti më i mirë është maja. Kur mbërritëm lart ishte gëzim. Ka plot momente të frikshme por mundohem që krejt përgatitjet që i bëj këtu të mos me ndodh diçka atje. Për shembull në ngjitjen e fundit i kemi pasur dy raste ku dy njerëz nuk kanë mbijetuar gjatë rrugës së kthimit, kështu që kujdesemi me u bo gati fizikisht”, thekson Ibrahimi.
Projektin për të ngjitur 14 majat mbi 8000 metra e nisi në vitin 2017. Me shumë pak mbështetje financiare, por që ndryshoi 3 vjetët e fundit, thotë Ibrahimi.
“Projekti ka filluar shumë vjet përpara, por këto tre vjetët e fundit kanë qenë ngjitjet më të mëdha për faktin se kam pasur mbështetje edhe të njerëzve edhe të Ministrisë së Kulturës dhe ministrit Çeku, që më kanë ndihmuar shumë t’i gjej fondet dhe të vazhdojë tutje. Faleminderit ministër që e kam pasur derën çelë çdo herë që kam pasur nevojë. Ky sukses i përbashkët edhe i ministrisë për mbështetjen që kam marrë”, thotë Ibrahimi.
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, thotë se Uta ka arritur ta lartësojë shtetin e saj.
“Ky është një moment krenarie për të gjithë ne, për Kosovën, për shqiptarët. Shoqëria jonë ka gra e vajza të jashtëzakonshme dhe Uta është njëra ndër to. Me këtë arritje përveç se e ka lartësuar shtetin e saj, sepse është ndër të paktat në botë që e ka arritur këtë sukses. Në të njëjtën kohë ajo çfarë bën Uta nuk është vetëm alpinizmi por edhe frymëzimi që i bën gjeneratave të reja, vajzave e djemve e është edhe aktiviste për të drejtat e njeriut, por edhe aktiviste e jetesës së shëndetshme, kështu që kontributi i saj është i madh sa edhe kjo me ngjitjen. Jemi këtu për ngjitjen e fundit dhe suksese edhe në projektet e tjera”, deklaron Çeku.
Uta përfundoi një projekt madhor jetësor të saj, por ajo nuk do të ndalet me kaq. Edhe maja të tjera të larta të botës po e thërrasin Utën.