Sport

Kacuri, talenti 17-vjeçar i Superligës helvetike

Ndaj Sionit, më 31 tetor të vitit të kaluar, u aktivizua në minutën e 86-të. Po ndaj Sionit, më 30 janar, luajti prej minutës së 75-të.

Talenti i madh, Dion Kacuri, tashmë i ka dy paraqitje në Superligën e Zvicrës. Ai është pjesë e Grasshopperit. Dhe është vetëm 17-vjeçar. Është i vetmi 17-vjeçar që këtë edicion ka luajtur për Grasshopperin në Superligë. Dhe ndër të paktit në gjithë Superligën helvetike.

“Dioni është lojtar shumë i talentuar. E ardhmja e tij është e ndritur, por natyrisht ai duhet të mbetet me këmbë në tokë dhe të vazhdojë të punojë shumë. Ai tashmë ka luajtur dy ndeshje në Superligë dhe ndeshje tjera mund të luajë deri në fund të edicionit, ndonëse është 17-vjeçar. Te Grasshopperi e vlerësojnë shumë lart. E vlerësojnë lojtarin më të talentuar të grupmoshave të reja. Prandaj edhe e kanë avancuar në ekipin e parë”, ka thënë për KOHËN Leonard Berisha, menaxher i Kacurit.

Kacuri është me prejardhje nga rrethi i Prishtinës, ndërsa është i lindur në Zvicër. Mesfushori ofensiv është rritur si lojtar te Grasshoperi, njëri prej klubeve më me nam në futbollin zviceran.

Muajin e kaluar Grasshopperi ia vazhdoi kontratën deri në vitin 2025. Pra llogarit shumë në të. Ai këtë edicion ka luajtur për ekipin U21 të Grasshopperit, ku në 11 ndeshje ka realizuar një gol. Ka shënuar dy gola tjerë për ekipin U18, në tri ndeshje.

“Skuadra të mëdha si Benfica, Manchester Unitedi e Wolverhamptoni e kanë kërkuar. Por nuk po ngutemi dhe nuk do të ngutemi. Zhvillimi i tij duhet të jetë gradual. Grasshopperi është klub i duhur për zhvillimin e tij. Klubi e vlerëson lart. Me të drejtë, pasi është shumë i talentuar”, ka shtuar menaxheri Berisha.

Njëri prej drejtuesve kryesorë të Grasshopperit është shqiptar. Bëhet fjalë për Shqiprim Berishën, shef ekzekutiv i klubit.

Ermir Lenjani, Florian Hoxha, Amir Abrashi e Shkëlqim Demhasaj janë shqiptarët e tjerë në ekipin senior të GCZ-së, ashtu si njihet shkurt klubi. Aktualisht Grasshopperi është në vendin e shtatë në elitën e futbollit zviceran. Te të rinjtë e Grasshopperit zhvillohen shumë futbollistë shqiptarë. Aktualisht po shquhet Dion Kacuri. Ai po ashtu vlerësohet prej më të talentuarve te U18 e Zvicrës, përkatësisht te grupmosha e lojtarëve të lindur në vitin 2004.

Grasshopperi është klubi me më së shumti tituj të Zvicrës, gjithsej 27. Titullin e fundit e ka fituar në vitin 2003, para se talenti kosovar të ishte i lindur.