Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Juventusi kritikohet ashpër pas humbjes më të thellë në 17 vjet

Një ditë pas humbjes së thellë nga Chelsea, skuadra e Juventusit është përballur me kritika të ashpra. Juventusi të martën mbrëma u mposht 4:0 në stadiumin “Stamford Bridge”, që ishte humbja më e thellë në 17 vjet dhe më e rënda në Ligën e Kampionëve. Me këtë humbje Juventusi ia dorëzoi pozitën e parë Chelseat në Grupin H, pas disfatës së parë këtë edicion në Champions.

Rezultati bëri histori të padëshiruar për klubin nga Torino, duke tejkaluar humbjet 4:1 nga Bayern Munichu në fazën e grupeve të sezonit 2009-10 dhe Real Madridi në finalen e edicionit 2016-17. Për Juventusin kjo ishte humbja më e thellë në garën elitare të klubeve të Evropës. Ishte humbja më e thellë e “Zonjës së Vjetër” në të gjitha garat që nga humbja 4:0 në Serie A nga Roma në shkurt të vitit 2004. Titulli i gazetës “Tuttosport” nga Torino të mërkurën ishte “Të turpshëm” dhe e quajti Juventusin “të pashikueshëm”. Ndërkohë, “Gazzetta dello Sport” shkroi “Ju mund të humbni nga Chelsea, por jo kështu... duke mos u poshtëruar nga minuta e parë deri në të fundit”. Titulli i të përditshmes “La Republica” ishte edhe më i rëndë, ku humbjen e së martës nga Chelsea e quajti “një mbrëmje regresioni dhe poshtërimi të thellë”.

Nuk ishin vetëm gazetat që kritikuan paraqitjen e Juventusit, pasi ekipi u kritikua edhe nga ish-lojtarët. Ish-kapiteni i Juventusit, Alessandro del Piero, që ishte i pranishëm në stadium, ka mbetur tejet i zhgënjyer me paraqitjen e ekipit.

“Pak, pak mund të shpëtohet nga një natë e tillë”, ishte postimi i tij.

Ndërkohë ish-mesfushori Alessio Tacchinardi shtoi: “Kjo skuadër bën dy hapa përpara dhe më pas dhjetë hapa mbrapa”.

Ish-trajneri i Juventusit, Fabio Capello, tha se ishte “një mësim i vërtetë në futboll” dhe sugjeroi se rezultati ishte tregues i betejave të skuadrave italiane në Evropë, me asnjë skuadër të Serie A që nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve që nga Interi në sezonin 2009/10.

“Ndoshta duhet të mësojmë nga trajnerët gjermanë për të luajtur një lojë më agresive. Nëse nuk ndryshojmë mënyrat tona, do të jetë e vështirë të arrijmë disa nivele”, shtoi ai.

Edhe Juventusi dështon në Champions në prag të plejofit të Italisë për Botëror Sport Juventusi dështon në Champions në prag të plejofit të Italisë për Botëror

Juventusi është klubi më i suksesshëm i Italisë, me 36 tituj kampioni në Serie A, por rënia e në “Stamford Bridge” nënvizoi regresionin e klubit në vitet e fundit. Maurizio Sarri udhëhoqi Juventusin drejt lavdisë në Serie A në sezonin 2019-2020, por u shkarkua pas një eliminimi në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve nga Lyoni. Pasardhësi i tij, Andrea Pirlo, i papërvojë, zgjati një sezon në krye të Juventusit pasi u eliminua nga Porto në të njëjtën fazë në Evropë dhe përfundoi në pozitën e katërt në kampionat përpara se të shkarkohej. Shpresohej që rikthimi i Massimilano Allegrit si trajner, dy vjet pasi ai u largua me pesë tituj të fituar rresht në kampionat, do të kthente krenarinë, por Juve e ka nisur dobët sezonin. Aktualisht zë vendin e tetë në Serie A pas 13 xhirove të zhvilluara pas humbjeve të turpshme nga Empoli, Verona e Sassuolo. Forma e Juventusit në Champions këtë sezon ishte shpëtimtare para duelit me Chelsean, pasi “Zonja e Vjetër” xhiron e shkuar e kishte siguruar kalimin përtej fazës së grupeve. Në fakt, Juventusi para duelit të kthimit me Chelsea, i kishte fituar të gjitha katër ndeshjet në grup. Megjithatë, të paktë janë ata që besojnë se ekipi aktual i Juventusit do t’i afrohet përsëritjes së arritjes me Allegrin, i cili pati udhëhequr ekipin në dy finale të Ligës së Kampionëve, në edicionin 2014/15 dhe 2016/17.

“Ne e dimë se cilat janë dobësitë tona dhe duhet të punojmë për t’i evituar ato. Unë besoj se ne do të përmirësohemi nga kjo paraqitje e dobët dhe do të jemi shumë më të mirë në ndeshjet e tjera”, ka premtuar trajneri Allegri.

Tifozët e Juventusit do të shpresojnë se ai ka të drejtë, pasi durimi ka filluar të konsumohet.