Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Juventusi dështon në Champions në prag të plejofit të Italisë për Botëror

Kishte pritshmëri të mëdha që triumfi i Italisë në Kampionatin Evropian do të përkthehej në sukses për klubet e vendit në garat kontinentale. Megjithatë, loja me pasime dhe e shpejtë e ekipit të përzgjedhësit Roberto Mancini që fitoi admirues në mbarë botën në qershor dhe korrik të vitit të shkuar nuk u pa askund, kur Juventusi u eliminua nga Villarreali në Ligën e Kampionëve – duke e lënë Italinë pa asnjë përfaqësues në çerekfinalet e garës më elitare të Evropës për sezonin e dytë rresht.

“Futbolli italian arriti një mrekulli të vërtetë duke triumfuar në Evropian, sepse suksesi erdhi nëpërmjet lojës inovative dhe të guximshme”, tha ish-trajneri i Italisë, Arrigo Sacchi, në “Gazzetta dello Sport” të enjten. “Por skuadrat italiane, përveç disa “klubeve më të vogla” që kanë marrë mesazhin si Atalanta e Sassoulo, ende mendojnë në mënyrën e vjetër: “Së pari, të mos pranojmë gol dhe më pas të shohim se çfarë do të ndodhë”. Kjo është e papranueshme, pasi me këtë lojë nuk mund të kesh sukses në garat evropiane”.

Vlen të përmendet se Juventusi mori iniciativën në pjesën e parë të mërkurën mbrëma, duke prodhuar katër goditje në portë, ndërsa Villarreali nuk e pati asnjë. Madje Juventusi e qëlloi edhe traversën me sulmuesin Dushan Vlahoviq. Në pjesën e dytë, kur Villarreali u tërhoq edhe më shumë dhe mbronte rezultatin e ndeshjes së parë 1:1, Juventusi u frustrua dhe u hap për kundërsulme. E kjo i kushtoi shtrenjtë ekipit nga Serie A. Villarreali më pas shënoi tre gola rresht dhe fitoi 3:0 për të kaluar në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 4:1. Kjo humbje e shënoi sezonin e tretë radhazi që Juventusi u eliminua në shtëpi në raundin e 1/8 së finales, dhe është hera e katërt rresht që italianët janë eliminuar në ndeshjen e dytë në shtëpi, përfshirë këtu edhe humbjen në çerekfinale ndaj Ajaxit në vitin 2019.

“Unë nuk mendoj se ka një shpjegim”, tha Juan Cuadrado i Juventusit. “Ky është futbolli”.

Për Juventusin, një nga skuadrat që ishte në ballë të projektit të dështuar të Superligës Evropiane, eliminimi në Evropë është bërë normë. Trofeu i fundit kontinental i klubit ishte Kupa Intertoto e fituar në vitin 1999, e cila erdhi tre vjet pas suksesit të tij të fundit të Ligës së Kampionëve. Me 36 tituj të fituar në Itali që është edhe rekord, Juventusi dy sukseset e vetme të Championsit i ka shumë herët – në vitin 1985 dhe 1996. Pasi arriti në finalen e Ligës së Kampionëve në vitet 2015 dhe 2017, Juventusi besonte se kishte gjithçka që i nevojitej për të fituar më në fund trofeun e lakmuar, me blerjen e Cristiano Ronaldos në vitin 2018. Por Ronaldo erdhi dhe shkoi pas tre sezonesh, ashtu si trajnerët Maurizio Sarri dhe Andrea Pirlo, të cilën e kaluan vetëm nga një sezon në krye të ekipit. Rikthimi i Massimiliano Allegrit, trajneri që udhëhoqi Juventusin në dy finalet e Ligës së Kampionëve, duhej ta kthente skuadrën të paktën në fazat finale të kësaj gare, por që nuk ndodhi.

“Ndonjëherë gjërat shkojnë në favorin tuaj dhe ndonjëherë jo. Ka të bëjë vetëm me pranimin e këtij fakti”, u shpreh Allegri.

Edhe Juventusi nuk heq dorë nga Allegri, fajëson lojtarët Sport Juventusi nuk heq dorë nga Allegri, fajëson lojtarët

Klubi i fundit italian që fitoi Championsin mbetet Interi, në vitin 2010, ndërsa Atalanta ishte ekipi i fundit që arriti në çerekfinale në vitin 2020.

Ndërkohë, e ardhmja e Përfaqësueses së Italisë do të mbetet të shihet javën e ardhshme, kur do të luajë në plejofin për kampionatin botëror “Katari 2022”. Italia e pret në gjysmëfinale Maqedoninë e Veriut, me fituesin që do të luajë ndaj Portugalisë apo Turqisë për një vend në turneun që mbahet në Katar më vonë këtë vit.

Italia nuk arriti të kualifikohet në Kampionatin Botëror të vitit 2018, gjë që u deklarua si një turp kombëtar. Dështimi për t'u kualifikuar për herën e dytë rresht në këtë turne të madh do të ishte një pikë e ulët për Italinë që e ka fituar katër herë Kampionatin Botëror.