Mbrojtësi Davinson Sanchez po pëlqehet nga Juventusi dhe ekipi italian po synon transferimin e tij vitin e ardhshëm. “Tuttosport” raporton të mërkurën se Juventusi ka kontaktuar Tottenhamin në lidhje me kolumbianin 26-vjeçar, i cili po kërkohet me ngulm nga trajneri Massimiliano Allegri.
Juventusi është i gatshëm të ofrojë 25 milionë euro për Sanchezin, i cili këtë edicion ka dhjetë paraqitje në të gjitha garat për ekipin anglez.
Sanchez është reprezentues i Kolumbisë dhe ka kontratë me Tottenhamin deri në vitin 2024. Ai në Premier League u transferua në vitin 2017 nga skuadra e Ajaxit.