Skuadra e Juventusit po interesohet për Igli Taren, i cili është drejtor sportiv te Lazio. “Tuttosport” ka raportuar të enjten se krerët e Juventusit po e shohin Taren si personin e duhur për ta marrë rolin e drejtorit sportiv në klub.
Tare është drejtor sportiv i Lazios prej vitit 2009 dhe ka kontratë deri në fund të këtij sezoni me ekipin nga kryeqyteti i Italisë. Ai është ndër më të vlerësuarit në Itali për punën që e ka bërë te Lazio deri më tani duke transferuar lojtarë të talentuar.
Te Juventusi po duan të ndërrojnë strategji prej sezonit të ardhshëm dhe të fokusohen në transferimin e talenteve, ndërsa Tare po shihet si ideal për ta bërë këtë punë.
Federico Cherubini që aktualisht është drejtor sportiv i Juventusit, pritet të kalojë në rolin e menaxherit të klubit për të liruar pozitën për Taren.