Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Juve siguron shërbimet edhe të Perinit

Pas Caldarës dhe Spinazzolës, Juventusi po bën gati prezantimin e dy afrimeve të tjera, gjatë javës së ardhshme. Së pari pritet të vijë e të firmosë një kontratë 4-vjeçare, mesfushori turko-gjerman Emre Can, që vjen me parametra zero nga Liverpooli.

Më pas do të prezantohet edhe Mattia Perin, portieri i Genoas, për të cilin mediat raportojnë se është arritur akordi i tranferimit në Torino. Juventus do të paguajë në arkat e kuqebluve 15 milionë euro, për të sjellë në Torino atë që bashkë me Szczesnyn do të tentojnë të zëvendësojnë legjendën Buffon.

Gjithsesi edhe pas këtyre 4 afrimeve, mund të thuhet se puna në merkaton e Juves sapo ka nisur, pasi synimet dhe objektivat janë ende të shumta. Kështu në orët e fundit janë shtuar përpjekjet për të marrë nga Milani mbrojtësin Alessio Romagnoli, i cili pëlqehet shumë nga Allegri, transmeton Supersport.

Bardhezinjtë po shpresojnë në një pezullim të Milanit nga Liga e Europës, për ta pasur më të lehtë të arrijnë të mbrojtësi 23-vjeçar. Më pas puna do të përqendrohet për të gjetur një mesfushor cilësor, ku më i pëlqyeri është Milinkoviq-Saviq dhe një sulmues, duke qenë se tashmë besimi ndaj Higuain mungon.