Prishtinë, 6 shkurt – Kastriot Jupa ka ndryshuar qasjen ndaj pivotëve në hendbollin kosovar. Shumë njohës i vlerësojnë pivotët si lojtarë në shërbim të bekave. Dhe jo vetëm në Kosovë ata nuk janë më të vlerësuarit.
Kur bëhet fjalë për Jupën, kjo dallon. Ai të premten për herë të gjashtë është shpallur hendbollisti më i mirë i vitit në Kosovë. Jupa luan në pozitën e pivotit. Pivoti është lojtari që aktivizohet afër vijës së gjashtëmetërshit, që krijon hapësirë për të tjerët dhe finalizon aksionet. Është lojtar që luan mes mbrojtjes kundërshtare dhe sakrifikohet për ekipin. Është vazhdimisht në duele.
Jupa, 28-vjeçar, dallohet me paraqitje te Besa Famgas dhe te Kosova. Është pivoti kryesor te të dyjat. Besa mbledh troftë në hendbollin kosovar, por po stagnon sa i takon avancimit në gara evropiane. Ndërkohë Kosova ka bërë lëvizje të vogla para dhe lëvizje të tjera shpresohen për në ndeshjet e ardhshme.
Falë paraqitjeve që kishte gjatë vitit të kaluar, Jupa ka pritur të shpallet më i miri.
“Të them të drejtën ky çmim ishte i pritshëm për mua, sepse kisha njërin prej viteve më të mira në karrierë. Natyrisht kur shpërblehet mundi i tërë vitit të jep një motiv që të vazhdosh të punosh”, ka thënë Jupa për KOHËN. Hendbollisti gjakovar është te Besa e Pejës nga viti 2012 dhe ka fituar shumicën e trofeve deri më tani. Aktualisht Besa është e pakonkurrencë në hendbollin kosovar. I tillë është edhe Jupa sa i takon çmimit të më të mirit.
“Çmimi i parë ishte më i veçanti për mua, pasi ishte plotësimi i një ëndrre dhe kisha shumë emocione atë ditë. Por çdo çmim e kishte rëndësinë e vet dhe e ka edhe ky i fundit. Prej vitit 2020 veçoj ndeshjet me Kosovën. Kemi pasur paraqitje mbresëlënëse dhe rritje të madhe”.
Jupa e pranon se pozita e tij nuk vlerësohet sa duhet.
“Por në hendbollin modern punën më të madhe e kryejnë pivotët, për shkak se kanë një kontribut të madh edhe në mbrojtje, edhe në sulm. Është e vërtetë që shpeshherë nuk shpërblehen”, ka theksuar Jupa.
Ai ka folur edhe për planet për të ardhmen.
“Planet janë që me Besën ta përmbyllim sezonin si duhet, me dy trofetë e fituar dhe me Kosovën të luftojmë deri në fund për kualifikim në Evropian”.