Pas një dekade dominim në hendbollin kosovar, Kastriot Jupa ka vendosur për përvojë të re. Hendbollisti gjakovar është larguar nga skuadra pejane, Besa Famgas, dhe është transferuar në Gjermani.
Federata e Hendbollit e Kosovës ka njoftuar të hënën që Jupa ka firmosur me skuadrën gjermane, LHC Cottbus.
Jupa, 29-vjeçar, prej vitit 2012 ishte pjesë e Besës. Karrierën e ka nisur te Vëllaznimi. Me Besën ka dominuar plotësisht në hendbollin kosovar. Ka fituar nëntë tituj rresht të kampionit e tetë Kupa të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe ishte lojtari më i dalluar në skuadrën pejane, por edhe në hendbollin kosovar në përgjithësi. Ai gjashtë herë është shpallur lojtari më i mirë i vitit në Kosovë. Dhe tani ka vendosur të testohet në një vend me hendboll të zhvilluar.
Në të vërtetë Jupa ka pasur oferta edhe më herët, sidomos pas paraqitjes së madhe ndaj Rumanisë, vitin e kaluar. E kishin kërkuar disa prej skuadrave më të mëdha në këtë vend. Por transferimi megjithatë nuk ishte realizuar. Ai vazhdoi te Besa, por jo me motivin që e kishte pasur më herët.
Ndërkohë interesim ka shfaqur skuadra gjermane dhe transferimi është realizuar.
“Te Cottbusi është gjithçka perfekt për mua. Kam pasur një pritje shumë të mirë nga i gjithë ekipi dhe e kam gjetur veten shumë mirë si pjesë e tij. Klubi ka bërë investime të mëdha dhe synon të arrijë në nivelin më të lartë në Gjermani”, ka theksuar Jupa për KOHËN.
Si pjesë e Besës së Pejës, Jupa është shquar edhe me paraqitje në kupa evropiane. Vazhdimisht ka pasur ndeshje të mira. Ai është prej lojtarëve kryesorë edhe te Kosova. Është kapiteni i dytë, ndërsa në 54 ndeshje i ka realizuar 182 gola. Asnjë lojtar tjetër i Kosovës, në të gjitha sportet, nuk ka arritur në shifrën e 54 paraqitjeve për përfaqësuese.
Cottbusi aktualisht garon në kategorinë e katërt gjermane, ndërsa me Jupën në përbërje synon promovimin e menjëhershëm në kategorinë e tretë. Por synim i klubit është niveli më i lartë gjerman.
Kohë më parë nga Superliga e Kosovës është larguar edhe Drilon Tahirukaj. Aloja e djathtë ka kaluar te skuadra e elitës zvicerane, Kreuzlingen. Te kjo skuadër luajnë edhe Valon Dedaj, Bujar Ramosaj, Haris Berisha e Drenit Tahirukaj.
Me largimin e Jupës, Superliga e Kosovës pritet të jetë më e varfër. Por hendbollisti i fuqishëm ka gjetur motivin për punë edhe më të madhe dhe për suksese të reja.
“Mezi pres të grumbullohem sërish me Kosovën. Jam në formë shumë të lartë”, ka thënë Jupa.