Sport

“Junior NBA Kosova”, projekt që vlerësohet lart

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) të martën ka hedhur shortin për “Junior NBA Kosova”, garë ku do të marrin pjesë 30 shkolla nga të gjitha qytetet e Kosovës.

Në hedhjen e shortit të pranishëm ishin kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ambasadori i “Junior NBA”, Jiri Welsch, si dhe përgjegjësi i “Junior NBA” për Kosovë, Adrian Carrion.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, e ka mirëpritur organizmin e kësaj gare duke shpresuar që do të jetë një ndihmesë e madhe për të identifikuar talente të reja.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që po arrijmë të iniciojmë këtë projekt të Federatës së Basketbollit të Kosovës së bashku me ‘Junior NBA’. Jam edhe më i lumtur që kemi arritur këtë bashkëpunim dhe atë përmes Federatës së Sportit Shkollor. Kam kënaqësi të veçantë që në këtë projekt përfshihen jo vetëm klubet e basketbollit, por edhe shkollat dhe fëmijët e moshës paragaruese për Federatën e Basketbollit. Shpresoj që të gjithë pjesëmarrësit të përfitojnë nga ky organizim që do ta na shërbejë për të ardhmen”, ka thënë Fetahu.

I lumtur që këtë projekt do ta nisë në Kosovë është shprehur ish-basketbollisti Welsch, që karrierë ka bërë në NBA. Ai shpreson që kjo nismë do të shërbejë për të rritur edhe më shumë interesimin për basketbollin.

“NBA është një organizatë shumë e madhe dhe e rëndësishme e cila iu mundëson të rinjve të cilët kanë ëndërr të bëhen pjesë e saj, ta realizojnë atë. Nisma të tilla janë jashtëzakonisht të rëndësishme pasi e ardhmja do të jetë më e ndritur. Unë vij nga Republika e Çekisë. Në vendin tim një projekt të tillë e kemi nisur para disa vjetësh dhe si projekt ka sjellë rezultate të mahnitshme, pasi u ka mundësuar të rinjve që të kenë një raport më ndryshe me basketbollin”, u shpreh Welsch.

Përgjegjësi i “Junior NBA” për Kosovë, Adrian Carrion, ka zbuluar se fëmijët do të mund të shkëmbejnë përvoja të ndryshme dhe do të marrin pjesë në kampe të njohura që do të organizohen në Evropë.

“Po e fillojmë si një ligë për fëmijët nga mosha 11 deri në 14 vjeç, por raporti që krijohet me ‘NBA Junior’ është që një projekt të tillë ta zgjerojmë edhe më shumë. Kjo nismë do t'u ndihmojë lojtarëve të zhvillohen sikurse edhe trajnerëve. Do të jetë një mundësi e mirë që të merrni pjesë në kampionate të forta dhe në kampe të ndryshme që organizohen për t'u përmirësuar edhe më shumë”, shtoi Carrion.

Ekipet e 30 shkollave pjesëmarrëse do të ndahen në Lindje dhe Perëndim, përkatësisht në gjashtë divizione të ndryshme. Tetë ekipet më të mira kualifikohen në plejof. Do të zhvillohet edhe “Final-Four”.

Në këtë aktivitet do të luajnë fëmijët prej 11 deri në 14 vjet. Ekipet do të përbëhen nga djem e vajza. Ndeshjet e para pritet të luhen muajin e ardhshëm.