Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Në Kosovë fillon liga “Junior NBA”

Shoqata Kombëtare e Basketbollit Amerikan (NBA) dhe Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), të premten, kanë njoftuar për nisjen e partneritetit të ri që ka rezultuar me krijimin e ligës së parë të basketbollit në Kosovës, “Junior NBA”.

Kjo ligë inauguruese do të jetë për djem dhe vajza të moshës 11-14 vjeç dhe tërheqja e shortit do të bëhet të martën në Prishtinë. Në ceremoninë e hedhjes së shortit do të jetë i pranishëm edhe ish-lojtari i NBA-së, Jiri Welsch.

Ngjarja do të organizohet me pjesëmarrjen e 30 shkollave fillore nga e tërë Kosova, të cilave do t’u caktohet emri i një ekipi të NBA-së përpara se të pajisen me fanellat përkatëse të atij ekipi për ndeshjet e basketbollit.

Skuadrat e ligës “Junior NBA” në Kosovë do të ndahen në dy konferenca dhe gjashtë divizione, sikurse në NBA. Në fund, dy kampionët e konferencave përkatëse do të përballen mes vete për titullin e Ligës “Junior NBA” të Kosovës.

Në FBK e kanë vlerësuar lart këtë projekt, duke thënë se bëhet fjalë për bashkëpunimin me NBA-në. Sipas sekretares së përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushku, kjo është një mundësi e artë për vajzat dhe djemtë në vend që të shfaqin talentin e tyre.

“Bashkëpunimi me NBA-në është një nga ndërmarrjet më të vlefshme të Federatës së Basketbollit të Kosovës, kryesisht për shkak të fuqisë së markës që NBA-ja sjell në këtë projekt. Jemi të lumtur që programi i Ligës së Junior NBA-së në Kosovë do t'u ofrojë mundësi vajzave dhe djemve në mbarë vendin që të shfaqin talentin e tyre për basketboll, ashtu që një ditë t'i kthejnë ëndrrat e tyre në realitet”, është shprehur Dushku.

Edhe “Junior NBA Kosova”, projekt që vlerësohet lart Sport “Junior NBA Kosova”, projekt që vlerësohet lart

Ndërkohë, edhe nga NBA janë shprehur të emocionuar për këtë nismë që shihet shumë e rëndësishme për fëmijët kosovarë.

“Jemi shumë të lumtur që filluam partneritetin me Federatën e Basketbollit të Kosovës për të promovuar zhvillimin e basketbollit të të rinjve përmes startimit të ligës së parë Junior NBA në vend”, tha zëvendëspresidenti i NBA-së për Operacionet e Basketbollit për Evropë dhe Lindje të Mesme, Neal Meyer. “Rritja e pjesëmarrjes së djemve dhe vajzave është pjesë e misionit tonë për të promovuar vlerat e punës në grup, respektin dhe përfshirjen, duke frymëzuar dhe lidhur brezin e ardhshëm të lojtarëve dhe tifozëve përmes basketbollit”.

“Junior NBA” është program global i basketbollit për të rinjtë i ligës NBA që ua mëson djemve dhe vajzave aftësitë themelore dhe vlerat thelbësore të lojës - punën në grup, respektin, vendosmërinë dhe komunitetin - në nivelin bazë. Përgjatë edicionit 2021/22, Junior NBA do të përfshijë më shumë se 37 mijë të rinj nga 28 vende të Evropës dhe Lindjes së Mesme.