Britaniku Anthony Joshua është duke u vërshuar nga ofertat e kundërshtarëve për t'u përballur me të në debutimin e tij të madh në SHBA, më 1 qershor, ka bërë të ditur promotori i tij, Eddie Hearn.
Kreu i kompanisë Matchroom është në kërkim të një kundërshtari të ri, pasi amerikani Jarrell Miller ka dështuar në testin e dopingut dhe licenca e tij për të luftuar në New York është anuluar.
Por, kur kanë mbetur edhe gjashtë javë deri te meçi, Hearn është dukur i relaksuar, ndërsa ka folur për zgjedhjen e kundërshtarit të duhur për mbrëmjen e madhe në “Madison Square Garden”.
Opsioni i preferuar i tij duket 40-vjeçari Luis Ortiz. Ndonëse po vlerësohet si e vështirë të arrihet marrëveshja, pasi koha është e shkurtër deri te meçi, shkruan “The Sun”, transmeton “Koha Ditore”.
Kubanezi ka humbur vetëm një nga 32 luftërat e tij dhe kjo kundër kampionit të versionit WBC, Deontay Wilder.
“Luis Ortiz bën luftë të madhe dhe atij i është premtuar meçi me Deontay Wilderin nga stafi i tij që është shqetësuese për ne. Të gjithë janë në nxitim për të pasur rastin të ndeshen me Anthony Joshuan. Kjo është shfaqja e Joshuas, por na duhet një partner i vallëzimit, një meç i madh që do të mundë të ndriçojë arenën. Është një natë që do të mbahet në mend për pjesën e mbetur të karrierës së tij”, ka thënë Hearn për “Sky Sports”.
Edhe
Andy Ruiz premton të prishë meçin e parë të Joshuas në SHBA
Hearn pret që të njoftojë javën e ardhshme për kundërshtarin e ri të yllit të peshës së rëndë, Joshua. Joshua është kampion i versioneve WBA, IBF dhe WBO.
“Do të ketë një njoftim nga ne në fillim të javës së ardhshme, sa i përket kundërshtarit të radhës së Anthony Joshuas. Qartë se meçi është në Amerikë dhe nga pikëpamja jonë na duhet një kundërshtar amerikan”, thotë Hearn.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)