Sport

Joseph largohet nga Prishtina shkaku i “dukurive negative”

Aventura e amerikanit Devoe Joseph te Sigal Prishtina ishte shumë e shkurtër. I transferuar me bujë të madhe para fillimit të këtij edicioni, Joseph është larguar nga Prishtina pa nisur edicioni i ri në Superligën e Kosovës në basketboll.

Prishtina të premten ka njoftuar se ishte e detyruar ta lirojë Josephin, i cili kishte kërkuar largimin nga basketbolli kosovar për shkak të dukurive negative që ndodhën në turneun e Superkupës të mbajtur javën e shkuar në Suharekë.

Ai zhvilloi dy ndeshje në këtë turne, në të cilin Prishtina u eliminua në gjysmëfinale.

“KB Sigal Prishtina ju njofton se lojtari Devoe Joseph, i transferuar gjatë afatit kalimtar veror tek skuadra jonë ka kërkuar të largohet nga klubi dhe përfundimisht nga basketbolli kosovar. Kjo për shkak të dukurive negative që po ndodhin dhe mosmbrojtja nga ato. Klubi ka pranuar kërkesën e tij me ç'rast me marrëveshje të dyanshme është ndërprerë bashkëpunimi me lojtarin”, thuhet në njoftimin e klubit.

Joseph edicionin e shkuar ishte ndër më të merituarit që Peja u shpall kampione, duke ndihmuar ekipin pejan të rikthejë titullin pas një dekade.