Trajneri i Wolverhamptonit, Julen Lopetegui ka paralajmëruar sulmuesin Raul Jimenez në prag të Kampionatit Botëror “Katari 2022”. Jimenez është përfshirë në listën prej 26 lojtarëve te Meksika, përkundër që nuk është rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe kjo aspak nuk i ka pëlqyer ekipit anglez.
Trajneri Lopetegui ia ka bërë me dije prioritetet Jimenezit, duke i thënë se Wolvesi është shumë më i rëndësishëm se Meksika dhe Botërori. Përfshirja e sulmuesit në listën finale të Meksikës nuk i ka pëlqyer fare Lopeteguit.
Jimenez për shkak të lëndimit nuk ka luajtur te Wolvesi prej fillimit të muajit shtator, duke munguar në 12 ndeshjet e fundit në të gjitha garat.
“Kam folur me Raulin për këtë çështje dhe jam shumë i brengosur për të. Ai nuk ka luajtur për një kohë të gjatë te Wolvesi dhe ne kemi nevojë për të që të jetë në formën më të mirë pas Botërorit. Gjëja më e rëndësishme për të nuk është Botërori, por Wolvesi. Kam respekt për të dhe Meksikën, por fokusi im është klubi”, ka thënë Lopetegui.