Sport

Ish-lojtari i Leverkusenit, përzgjedhës i Brazilit

Ramon Menezes do të jetë përzgjedhës i ri dhe i përkohshëm i Përfaqësueses së Brazilit. Ish-futbollisti i Bundesligës gjermane me Bayer Leverkusenin, i cili e fitoi kampionatin e Amerikës së Jugut me Brazilin U20 të dielën, do ta udhëheqë Brazilin për herë të parë në një ndeshje miqësore.

Kështu ka njoftuar të mërkurën Federata e Futbollit të Brazilit. Brazili më 25 mars do të luajë në miqësore me gjysmëfinalistin e Kupës së Botës, Marokun, në Tangier. 50-vjeçari si futbollist te Leverkuseni luajti në edicionin 1995/96.

Pati 20 paraqitje dhe realizoi dy gola. Menezes e zëvendëson përkohësisht në këtë post përzgjedhësin Tite, i cili shkëputi kontratën në muajin janar, pas Botërorit të pasuksesshëm në Katar. Për postin e përzgjedhësit te Brazili, kandidat është edhe Carlo Ancelotti.