Ish-kapiteni i Përfaqësueses së Rusisë në futboll, Igor Denisov, ka filluar të frikësohet për jetën e tij, raporton BBC të enjten. Denisov ka pranuar se ndihet i rrezikuar “me burg apo vrasje” për shkak se ka reaguar kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për luftën e nisur ndaj Ukrainës.
Parlamenti rus kohët e fundit miratoi legjislacionin që mund t'i dënojë të gjithë ata që janë kundër veprimit ushtarak të vendit deri në 15 vjet burg. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar Denisovin 38 vjeç, i cili ka qenë kapiten i Rusisë midis viteve 2012 dhe 2016, të kritikojë vazhdimisht konfliktin brutal. Ai është bërë ish-sportisti i vetëm më me famë që ende jeton në Rusi dhe dënon publikisht luftën ndaj Ukrainës.
“Këto ngjarje janë katastrofë. Kjo luftë është e tmerrshme dhe duhet të ndalohet”, ka thënë Denisov për të shtuar më pas: “Nuk jam i sigurt nëse do të burgosem apo do të vritem për këto gjëra që po i them. Por, unë i flas gjërat ashtu siç janë”.
Denisov, i cili ka zhvilluar mbi 300 ndeshje me fanellën e Zeniti të Shën Petersburgut përpara se ta mbyllë karrierën si lojtar aktiv në vitin 2019 tek Lokomotiva e Moskës, insistoi se ka refuzuar të largohet nga Rusia pasi e do vendlindjen e tij. Gjatë karrierës si lojtar aktiv, Denisov kishte ndikim të madh te Përfaqësuesja e Rusisë, për të cilën regjistroi 54 paraqitje prej vitit 2008 deri në vitin 2016. Me Rusinë ai ka luajtur në “Euro 2012” dhe Kampionatin Botëror të vitit 2014.
Megjithatë, ka shtuar se pas luftimeve në Ukrainë ai nuk ndihet më krenar me Rusinë dhe i ka shkruar personalisht presidentit Putin duke e lutur që ta ndalë luftën, e cila ka bërë që mijëra njerëz të vriten dhe miliona të tjerë të largohen nga shtëpitë e tyre. Putin i ka nisur sulmet ndaj Ukrainës prej datës 24 shkurt. E për shkak të luftës, Përfaqësuesja e Rusisë dhe skuadrat ruse janë përjashtuar nga garat ndërkombëtare. Reagimi i Denisovit vjen në momentin kur ushtria ruse ka filluar një betejë gjithnjë e më të keqe për të marrë kontrollin e rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk e Luhansk, pasi Rusia ka braktisur planin e saj fillestar për të pushtuar gjithë vendin.
“Unë jam person krenar, por tanimë nuk ndihem i tillë për shkak të sulmeve ndaj Ukrainës. Fillova të ndihesha keq pas vetëm tri ditëve”, ka shtuar Denisov. “Në letrën time i kam thënë Putinit se jam në gjendje të bie në gjunjë para tij vetëm për ta ndalur luftën, sepse kjo nuk ka aspak kuptim”.
Edhe
Ish - i burgosuri që humbi një këmbë për Rusinë thotë se vendi i tij e tradhtoi
Denisov nuk është sportisti i parë rus që flet kundër luftës së Putinit. Tenisti Andrey Rublev shkroi “jo luftë të lutem” në një objektiv kamerash në fund të një ndeshjeje në Dubai, menjëherë pasi pushtimi filloi në shkurt. Në fakt, shumë pak figura publike që jetojnë ende në Rusi e kanë kundërshtar haptazi “operacionin ushtarak special”, siç e cilëson Moska. Nadya Karpova, sulmuesja e Përfaqësueses së Rusisë, e cila tani jeton në Spanjë, së fundmi është shprehur kundër luftës. Mediat ruse madje mund të gjobiten ose bllokohen për përdorimin e fjalëve “luftë” ose “pushtim” për të përshkruar atë që po ndodh në Ukrainë.
Gjatë intervistës së Denisovit, disa fjalë të përdorura prej tij për t'iu referuar veprimeve ruse në Ukrainë duket se janë evituar, me një tingull të luajtur në vend të tyre. Po ashtu, edhe sajti “Sports.ru”, një nga faqet e internetit më të njohura sportive të vendit, raportoi komentet e Denisov, por nuk përdori fjalët “luftë” ose “pushtim”, duke iu referuar diskutimeve të tij mbi “jetën pas 24 shkurtit”. Qeveria ukrainase ka njoftuar se mbi 10.000 luftëtarë të saj kishin vdekur që nga fillimi i konfliktit. Ndërkohë sa u përket humbjeve të Rusisë, Kievi pretendon se ajo ka humbur tri herë më shumë trupa që nga fillimi i ofensivës së Putinit.