Sport

Ish-fituesi i Euroleagues në Kosovë

Basketbollisti i shumë skuadrave të njohura evropiane, Sani Beqiroviq, ka ardhur në Kosovë, për herë të parë së bashku me babanë e tij Mehmed Beqiroviq, pas ftesës nga Federata e Basketbollit të Kosovës.

Këta të fundit kanë qëndruar për dy ditë në Kosovë ku u kanë ligjëruar trajnerëve kosovarë, në Klinikën Ndërkombëtare për Trajner, e para e mbajtur në Kosovë, në kuadër të programit për edukim dhe licencimin e trajnerëve.

Ish-basketbollisti i Sllovenisë, i cili është me prejardhje shqiptare, në një intervistë për KTV-në, tregon me krenari prejardhjen e tij.

35-vjeçari, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur për shumë skuadra të njohura evropiane, si Union Olimpija, Panathinakos, CSKA Moska e Milano, kujton karrierën e tij mjaft të suksesshme.

Basketbollisti shqiptar, gjatë karrierës së tij ka arritur të fitoj trofeun më të çmuar në basketbollin evropian, atë të Euroleagues. Këtë ai e kishte arritur në vitin 2007 me Panatanaikosin.

Beqiroviq gjatë karrierës së tij të gjatë ka luajtur për plotë 21 skuadra të njohura evropiane, por vet basketbollisti veçon momentet më të mira gjatë karrierës së tij si basketbollist.

Përveç karrierës të madhe në skuadra të njohura evropiane, Beqiroviq, ka djersitur edhe fanellën e Përfaqësueses së Sllovenisë periudhë të cilën nuk ka kujtime të mira.

Pas një karrierë të suksesshme Beqiroviq ka filluar zejen e trajnerit dhe së bashku me babin e tij kanë hapur një akademi basketbolli në Slloveni.

Duke folur rreth punës si trajner Beqiroviq, ka mohuar mundësinë që një ditë të marrë drejtimin e Përfaqësueses së Kosovës në basketboll.

Beqiroviq ka qëndruar për dy ditë në Kosovë, vizitë kjo e cila ishte për herë të parë duke u ligjëruar trajnerëve kosovarë.