Suksesin më të madh deri më tani përfaqësuesja e basketbollit të BeH-së e ka arritur në vitin e largët 1993, kur në kampionatin evropian ka përfunduar në vendin e tetë. Në përfaqësuese asokohe kishte edhe mjaft basketbollistë të rinj, të paafirmuar, që dëshmuan kualitetin. Megjithatë, rrëfimi meriton një shikim retrospektiv. Suksesi i ekipit sarajevas “Bosna” dhe titulli i kampionit për vitin 1979 njëkohësisht shënoi edhe nisjen e ngritjes së basketbollit të klubeve jugosllave. Gjenerata e udhëhequr atëherë nga eksperti i ri, Boshko Tanjeviq, bëri diç që askush deri më atëherë nuk e kishte arritur në ish-shtetin.
Me fitoren në Grenoble kundër ekipit mitalian “Emerson”, Delibashiqi, Varajiqi, Radovanoviqi dhe studentët e tjerë sarajevas u ngritën në majën e kontinentit të vjetër. Kampionë të Evropës! Më vonë nga Jugosllavia këtë e arritën edhe “Cibona”, “Jugoplastika” dhe “Partizani”. Trembëdhjetë vjet më vonë, në qytetin që ndërkohë u bë edhe olimpik, nisi lufta. Shumë gjëra të shëmtuara ndodhën, sporti gati se u shua tërësisht. Ai terr zgjati gjithë vitin, ndërsa më pas lindi ideja që sporti që sillte trofe, të përpiqet të depërtojë në skenën ndërkombëtare. Lindi ideja për pjesëmarrjen e përfaqësueses së BeH-së në kampionatin evropian. Kinxhe legjendar duket se ishte i parapërcaktuar që të jetë bartës i suksesit. Edhe kësaj radhe ai ishte nismëtar i idesë.
“Ne në atë kohë të luftës shoqëroheshim, vinim në ‘Fis’, ish- ‘Partizani’. Pronarët ishin Brane Crnograv dhe bashkëshortja e tij Mirsada. Aty kishte shoqërim të njerëzve të sportit dhe patriotëve tanë, Daço, Mirza… Atëherë nisi të flitej se do të mund të shkonim në kampionat dhe atëherë Mirza mori përsipër organizimin dhe u përpoq ta bëjë këtë”, ka thënë ndihmësselektori i përfaqësueses basketbollistike të BEH-së në vitin 1993, Ibrahi Krehiq.
Njëri prej basketbollistëve që mbeti në atë Sarajevën e luftës është edhe Emir Halimiq, i cili idenë për përfaqësuesen e priti në rrethana të çuditshme, por edhe me një dozë të dyshimit.
“Ftesat e para kur i pranuam, kjo ishte pakëz e habitshme. Nuk besonim se kjo mund të bëhej marrë parasysh në çfarë rrethanash jetonim, ndërsa kishte një vit që nuk kemi luajtur. Ne kemi stërvitur, por jo seriozisht. Kjo më shumë bëhej me shpresën se lufta do të ndalet dhe do të vazhdojmë aty ku u ndalëm”, ka thënë ai.
U bë e qartë që përfaqësuesja e basketbollit do të përpiqet të plasohet në kampionatin evropian. Detyra e parë, ndoshta më e vështira. Kalimi përmes pistës për evakuim nga Sarajeva.
“U mblodhëm së pari në ‘Bosna’, pastaj kaluam në ‘Fis’. Aty erdhi një kombi ushtarak, sepse ishte organizimi i mirë. Ai na dërgoi deri te pista. Pastaj hymë në pistë e as që e dinim se si kalohet, si duhet të vraposh, nuk kishim përvojë. Morëm pak gjëra me vete, mendonim jemi në kondicion të mirë, por ne nuk kishim kondicion”, ka thënë Krehiq.
“Pesë të parët shkojnë këndej, të tjerët andej, dhe kështu ndodhi njëfarë ikjeje nëpër pistë. Sapo u nisëm, UNPROFORI ndezi atë veturën dhe u nis pas nesh. Neve pesë vetave na arrestuan. Na futën në transporter. Fati që me ne ishte një udhëheqës që e dinte se si funksionon e gjithë kjo dhe arritëm ta kalojmë pistën me trabnsporter, të tjerët e kaluan duke vrapuar”, ka thënë Halimiq.
Pengesa e parë u kalua. Radhën e kishte rruga aspak e lehtë deri në Kroaci. Pas ardhjes në Split, situate u bë paksa edhe komike.
“Erdhëm ne në stacionin e autobusëve. Ai shoferi na thotë të paguajmë. Unë them këtë e ka organizuar Ganiqi që të na sjellë pa pagesë, ne nuk kemi të holla dhe nëse ti vazhdon kështu do të marrësh dajak. Përfaqësuesja ngadalë u mblodh, vinin lojtarët që kanë luajtur nëpër të gjithë Evropën, përgatitjet vazhduan në Poreç, i cikli asokohe ofroi kushte fantastike për basketbollistët nga BeH-ja”, ka thënë Krehiq.
“Më kujtohet, në Poreç kemi ardhur, një e afërm e imja erdhi, unë vesha ato rroba që kisha. Ajo më pyet pse jam veshur ashtu, dy Ibrahima i zë ky kostum. Unë i them se ky është kostumi i vetëm i mirë që kam, si kujtim nga ish-përfaqësuesja. Zonjë, thashë, jam dobësuar për 40 kilogramë”, ka shtuar ai.
“Ne, me ndihmën e trajnerit tonë atëherë, Ibrahim Krehiq, u nisëm nga fillimi sikur të ishim pionierë, dhe dita-ditës përparonim. Shumë kanë dhënë ndihmë, por dallohen basketbollistët kroatë Toni Kukoç, Dino raxha dhge Drazhen Petroviq, e më pas edhe Bosha Tanjeviq, Drazhen Dalipagiq, dhe shumë të tjerë”, ka thënë Halimiq.
“Ne nisëm të luajmë ndeshje miqësore dhe luajmë në kufi mes Sllovenisë dhe Italisë kundër ekipit të Prajës. Praja e hap magazinën, pasha nënën, dhe më thotë: merrni çka të doni dhe sa të doni”, ka thënë Kreqiq.
“Ne kur kemi dalë, shumë na kanë ndihmuar lojtarët nga Kroacia dhe nga Serbia. Disa me ne kanë luajtur, e kundër disave kemi luajtur. Por kjo nuk shikohej, ata me aq shumë dëshirë dhe vullnet erdhën të na ndihmojnë, posaçërisht Toni Kukoç dhe Dino Raxha”, ka thënë Halimiq.
Grupi i ri i djelmoshave i udhëhequr nga selektori Delibashiq me trajnerin Krehiq vazhdoi guximshëm të ecë drejt kampionatit evropian. Parakualifikimet u luajtën në Katoivice të Polonisë, dhe aty Mutapçiq, Primorac, Avdiq, Bilaloviq, Firiq, dhe të tjerët treguan se janë ekip i shkëlqyeshëm dhe ngadalë arritën të plasohen tutje. Danko Delbashiq, i biri i selektorit të atëhershëm, edhe pse ishte djalosh 7 vjeç, kaloi rrugën me përfaqësuesen deri në vendin e tetë në kampionat evropian.
“Më kujtohet, rahmetliu Dine Bilaloviq posaçërisht. Ai atëherë ishte shënuesi më i mirë i kampionatit evropian, një lojtar i shkëlqyeshëm. E di që me mua ‘tallej’ gjithë rrugën. Më shiste fore të ndryshme dhe unë atë posaçërisht e pranova si dikë timin gjatë atij rrugëtimi. E kisha atë akreditimin në të cilin shkruante Coach, pra isha sikur Ibro Krehiq apo babai im. Isha me ta buzë parketit. Mësova çka është disiplina, çka është ambicia, shumë gjëra…”, ka thënë Danko Delibashiq.
Pasuan ndeshjet në kampionat. Lojërat e guximshme të djemve që nuk dinin se çka ndodh në vendlindje, por kishin një dëshirë dhe cak të qartë.
“Çdo mëngjes ishte e njëjta histori, a është kush gjallë prej familjes, prej miqve. Në një moment njeriu ndien nevojën për t’u stërvitur, dhe gjoja do t’i harrojmë këto. Por gjithmonë këto ishin aty diku, në kokë”. ka thënë Halimiq.
Me këso emocionesh dhe nën ngarkesë, Bosnjë-Hercegovina erdhi deri tek plasmani në çerekfinale. Ndeshja luhet në Munih, ndërsa kundërshtari është Kroacia.
“Ndoshta kemi mundur të bëjmë diç më shumë, por në ndeshjen e çerekfinales kundër Kroacisë nuk i kishim dy lojtarë kyç. Nuk luante Mutapçiq, sepse ishte lënduar dhe nuk luante Primorac. Prindërit e tij në atë kohë ishin në Çaplinë dhe ai kishte frikë se mund të ketë revanshizëm dhe që diçka mund t’iu ndodhë prindërve. Pa ata dy ne nuk kishim asnjë shans kundër Kroacisë, e cila në atë kohë kishte katër lojtarë nga NBA”, ka thënë Krehiq.
Pavarësisht disfatës, Bosnjë-Hercegovina ka shënuar një rezultat që askush nuk e priste. Vendi i tetë në kampionatin evropian për shtetin që ndizej në luftë dhe në të cilin liga basketbollistike nuk luhej fare, shtetin që të vetmin qëllim e kishte ta priste të nesërmen.
“Më kujtohet një situatë kur ishim në autobus. Gjithçka përfundoi. Unë nuk e di se ku ishim, ndoshta në Sezhanë, në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë. Më kujtohet që rrinim në autobus një kohë më të gjatë dhe në atë moment nuk dihej se kush ku do shkojë”, ka thënë Dalibashiq.
“Tani kur e shikoj gjithë situatën, ato ishin emocione e kujtime aq të forta, nuk do t’i ndërroj për asgjë. Na duhej t’i kalonim të gjitha prej fillimit si lojtarë senior, dhe sërish të bëhemi pionierë dhe pastaj të arrijmë deri te basketbolli profesionist dhe të arrijmë atë sukses. Shpresoj që së shpejti të rritet ndonjë gjeneratë e re që të na kalojë”, ka thënë Halimiq.