Përfaqësuesja e Irakut ka regjistruar edhe fitoren e dytë në po aq ndeshje të luajtura në Kupën e Azisë. Iraku të premten ka mposhtur Përfaqësuesen e Japonisë me rezultatin 2:1, në ndeshjen që i takoi Grupit D.
Me këtë fitore, Iraku është forcuar në krye të grupit me gjashtë pikë, tri më shumë se Japonia që regjistroi humbjen e parë në këtë fazë.
Sulmuesi Aymen Hussein ishte më i merituari për fitoren e Irakut, pasi i shënoi të dy golat. Golin e parë, ai e realizoi në minutën e pestë kurse të dytin në kohën shtesë të pjesës së parë.
Deri në fund të takimit, Japonia nuk arriti më shumë sesa të shënojë golin e nderit, të cilin e realizoi mesfushori Wataru Endo (93’).