Sport

IOC-ja kërcënon sërish Serbinë për diskriminimin ndaj sportistëve kosovarë

IOC

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka kërcënuar Serbinë me ndalesë të organizimit të ngjarjeve ndërkombëtare, pas diskriminimit të vazhdueshëm të sportistëve kosovarë.

Në të vërtetë IOC-ja ka dërguar vërejtje të re për vendet që refuzojnë të lejojnë sportistë nga shtete të caktuara që të garojnë në ngjarjet e mëdha që i organizojnë.

Ky ishte rast me Serbinë, që muaj më parë e organizoi Botërorin e boksit amator. Boksierët e Kosovës nuk u lejuan të hyjnë në Serbi për të marrë pjesë në Botëror, ndërsa Federata Ndërkombëtare e Boksit nuk ka marrë ndonjë masë deri më tani.

Është sajti i njohur i sporteve olimpike, insidethegames.biz, që të martën ka shkruar se kërcënimi është bërë për Serbinë dhe Malajzinë. Në një letër të siguruar nga Jerusalem Post, IOC-ja ka përmendur dy incidentet e fundit, anulimin e Kampionatit botëror të “squashit” në Malajzi, pasi ky vend refuzoi të japë viza për sportistët e Izraelit, si dhe ndalesën e Qeverisë së Serbisë ndaj boksierëve kosovarë.

IOC-ja ka paralajmëruar qartë se do t’i ndalojë këto vende, e po ashtu vendet e tjera që bëjnë shkelje të Kartës Olimpike, që të organizojnë ngjarje të mëdha ndërkombëtare nëse vazhdojnë me qasje të njëjtë.

IOC-ja ka thënë se do të punojë me Komitetet Olimpike të Malajzisë dhe të Serbisë për të gjetur zgjidhje me qeveritë përkatëse dhe se nëse kjo nuk arrihet, “këto vende do të përjashtonin veten nga e drejta për të organizuar ngjarje sportive ndërkombëtare, derisa të merren dhe të respektohen garancitë e nevojshme”.

Drejtues të IOC-së, njërës prej organizatave më të fuqishme në botë, kanë kërkuar nga federatat ndërkombëtare që të jenë jashtëzakonisht vigjilente kur japin të drejtën e organizimit të ngjarjeve sportive ndërkombëtare.

IOC-ja edhe më herët ka reaguar për diskriminimin e boksierëve kosovarë nga shteti i Serbisë.

Se sa seriozisht e ka Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të mësohet menjëherë vitin e ardhshëm. Në Serbi mbahet Kampionati Botëror i mundjes, ku pjesëmarrjen e ka paralajmëruar edhe Kosova. Madje mundësi Egzon Shala ka theksuar se në Beograd do të udhëtojë për medalje. Ai në fakt nuk është shprehur i sigurt se do t’i mundësohet paraqitja në Botëror, duke u bazuar në përvojën e deritashme të sportistëve kosovarë me shtetin serb.