Sport

Inzaghi nën presion tek Interi, vetëm Championsi e shpëton

Triumfi në Ligën e Kampionëve mund të jetë shansi i vetëm i trajnerit të Interit, Simone Inzaghi, për të mbajtur vendin e tij të punës. Interi ka pasur sukses këtë edicion, duke fituar Superkupën e Italisë dhe duke arritur në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Dhe, skuadra mund të arrijë në katërshen e fundit të Ligës së Kampionëve të mërkurën mbrëma kur do të përballet me Benfican në Milano në ndeshjen e dytë çerekfinale.

Interi është në epërsi 2:0 pas fitores javën e shkuar në Portugali. Por, është Serie A ku Interi ka pasur vështirësi dhe Inzaghi po ndien presion për shkak të rezultateve në kampionat. Humbja e së shtunës së shkuar 1:0 nga Monza ishte disfata e 11-të e Interit në ligë në 30 ndeshje të luajtura, duke e lënë në pozitën e pestë në Serie A, dy pikë prapa Milanit të vendit të katërt. Ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti – i cili ishte në krye kur skuadra fitoi “tripletën” me Ligën e Kampionëve, Serie A dhe Kupën e Italisë në vitin 2010 - tha se ndoshta nuk do ta kishte mbajtur Inzaghin si trajner pas humbjeve të këtij edicioni.

“Jo, nuk besoj se do ta kisha mbajtur Inzaghin. Për shkak të karakterit tim kam shkarkuar trajnerë pas tri ose katër humbjeve”, tha Moratti. “Dhe ndoshta do ta kisha bërë atë gabim edhe në këtë rast, por nuk do ta kisha mbajtur Izaghin me 11 disfata në kampionat”.

Interi ka fituar vetëm një nga tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Ishte kjo fitorja e javës së kaluar në udhëtim te Benfica.

“Forma jonë në ligë nuk është e pranueshme. Nuk na mungon motivimi në ligë”, ka theksuar Inzaghi. “Ne kemi humbur disa pikë në shtëpi dhe nuk kemi shumë kohë për të punuar, por duhet të jemi më mirë me rezultate. Ne jemi ndërtuar për të garuar për të gjitha objektivat. Ne kemi një avantazh prej dy golash kundër Benficas, por është një ekip i fortë që duhet ta përballojmë me fokus maksimal”.

Nëse Interi triumfon ndaj Benficas, atëherë do të përballet me një ekip italian në gjysmëfinale.

Edhe Benfica është në vështirësi. Dy herë kampionia e Evropës ka humbur tri ndeshje radhazi, hera e parë për klubin që nga edicioni 2018/19. Seria e dobët e ka dëmtuar atë që kishte qenë një sezon i frikshëm për Benfican, e cila kishte humbur vetëm një herë deri në fillim të prillit në të gjitha garat. Humbja e parë në këtë seri aktuale ishte në shtëpi kundër Portos në ligën portugeze, më pas erdhi humbja kundër Interit dhe të shtunën skuadra humbi 1:0 në Chaves për të parë epërsinë e saj në ligë të reduktuar në katër pikë. Për ndeshjen e së mërkurës në Milano, trajneri i Benficas, Roger Schmidt do të ketë në dispozicion qendërmbrojtësin argjentinas, Nicolas Otamendi, i cili ishte i pezulluar në ndeshjen e parë.

Por Interi vlerësohet favorit.

“Kritikat kanë qenë prej fillimit të sezonit dhe tashmë jam mësuar me to. Kritikat janë pjesë e punës sime, kështu që nuk e kam problem. Po ashtu kritikat vetëm na përmirësojmë më shumë”, tha Inzaghi.