Atletico Madridi duhet të jetë maksimalisht i përqendruar për të dalë fitimtar ndaj Interit të mërkurën mbrëma. Kështu ka deklaruar trajneri Diego Simeone të martën në konferencë për shtyp.
Atletico Madridi e pret Interin e Milanos në ndeshjen e kthimit të një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve. Ndeshaj zhvillohet në stadiumin “Metropolitano” nga ora 21:00.
Atletico, që vjen pas humbjes shokuese, 2:0, nga Cadizi i pjesës së poshtme të La Ligas, të shtunën, do të tentojë të përmbysë rezultatin prej 1:0 me të cilin u mposht në Itali.
Më 20 shkurt, Interi fitoi falë golit të Marko Arnautoviqit në minutën e 79-të. Interi kishte dominuar në ndeshjen e parë. Mbrojtja solide e italianëve i pamundësoi Atleticos që të ketë ndonjë goditje të saktë në portë.
“I kuptoj të gjitha që po ndodhin me ne”, ka thënë Simeone në konferencë për shtyp.
“Deri te ndeshja në shtëpi me Athletic Bilbaon kemi pasur një stinor shumë të mirë. Kemi garuar, por në ndeshjet e fundit ekipi nuk ka mbajtur nivelin në të cilin ka luajtur më parë. Tani shpresoj se do të rritemi nga mësimet që morëm. Ndeshja me Interin kërkon nivel shumë të lartë të përqendrimit dhe kushdo që e ka atë do të fitojë”, ka shtuar Simeone.
Sulmuesi Antoine Griezmann, që ishte lënduar në ndeshjen e parë, do të jetë pjesë e rëndësishme e finalistit të vitit 2014 dhe 2016.
“Kthimi i tij në ekip na jep më shumë zgjedhje dhe më shumë mundësi. Të shpresojmë se ai do ta ketë ndeshjen që dëshiron ta luaj”, thotë Simeone.
Mbrojtësi Axel Witsel ka thënë se francezi Griezmann bën dallim të madh kur luan.
“Griezmanni i jep ekipit shumë forcë dhe kur nuk është aty është ndryshe. Ai është një lojtar i rëndësishëm për ne dhe jemi shumë të lumtur që është kthyer”, ka theksuar Witsel.
Mesfushori Thomas Lemar dhe mbrojësi Jose Gomez ishin të vetmit që munguan në stërvitjen e fundit para ndeshjes me Interin.
Atletico ka arritur në çerekfinale në gjashtë raste në dhejtë vjetët e fundit. Skuadra e Simeones tashmë është jashtë garës për titull në La Liga. Ka 55 pikë në pozitën e katër. Lider është Real Madridi me 69 pikë.
Ndryshe është situata tek Interi. Skuadra ka fituar 13 ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Së fundi fitoi derbin ndaj Bolognas, që po ashtu po kalon formë të lartë.
Interi thuajse ka mbyllur garën për titull në Serie A, ndërsa synon të shkojë lart edhe në Champions. Në kampionatin italian udhëheq me 75 pikë. Në pozitën e dytë është Milani me 59 pikë.
Portieri Yann Sommer i ka lënë merita të mëdha trajnerit Simone Inzaghi për formën e lartë të skuadrës.
“Ne punojmë shumë mirë si ekip dhe ky është rezultati. Ndonjëherë tronditem kur i shikoj shifrat. Në këtë Inzaghi është i jashtëzakonshëm. Ai është shumë i vëmendshëm ndaj detajeve. Në çdo seancë stërvitore ai synon maksimumin”, ka thënë Sommer.
Mbrojtja e Interit dështon rrallë dhe kjo është meritë edhe e portierit zviceran.
Të mërkurën është edhe një tjetër ndeshje e një të tetës së finales në Champions. Në Gjermani takohen Borussia Dortmundi e PSV Eindhoveni. Ndeshja në Holandë kishte përfunduar 1:1. Ky rezultat favorizon skuadrën gjermane, por te Dortmundi e dinë që nuk do ta kenë lehtë.
“Detaji kryesor është që shkojmë në ndeshjen e nesërme me ndjenjë pozitive. Këtë e kemi falë rezultatit në ndeshjen e parë. Do të kemi mbrëmje të shkëlqyer me tifozët tanë dhe mezi presim të dalim në fushë”, ka thënë Edin Terziq, trajner i Dortmundit.
Me ndeshjet e së mërkurës përfundon një e teta e finales në Ligën e Kampionëve. Shorti për çerekfinale tërhiqet të premten nga ora 12:00.