Kampioni në fuqi i Italisë, Interi ka kthyer interesimin për sulmuesin e Juventusit, argjentinasin Paulo Dybala ka njoftuar të premten “Gazzetta dello Sport”.
Interi po synon transferimin e Dybalas në verë pasi 28-vjeçari ka refuzuar rinovimin e kontratës me Juventusin që i skadon në verë.
Mësohet se krerët e Interit do t’i nisin kontaktet me agjentin e Dybalas gjatë këtij muaji në mënyrë që t’i sigurojnë shërbimet e tij pa paguar dëmshpërblim.
Dybala ka refuzuar përfundimisht ta vazhdojë kontratën me Juventusin pasi ka mbetur i zhgënjyer me ofertën e fundit që klubi ia ka bërë.
Ai është pjesë e Juventusit prej vitit 2015 kur iu bashkua nga Palermo për 40 milionë euro. Këtë edicion, Dybala ka shënuar nëntë gola dhe ka bërë katër asistime në 20 ndeshje.