Skuadra e Interit i ka bërë ofertë zyrtare sulmuesit Marcus Thuram. “Gazzetta dello Sport” ka raportuar të mërkurën se Interi po tenton në të gjitha mënyrat ta bindë francezin për t’iu bashkuar në fund të këtij sezoni.
Interi i ka ofruar Thuramit kontratë pesëvjeçare me pagë vjetore prej pesë milionë eurosh. 25-vjeçarit i skadon kontrata me Borussia Moenchangladbachun në fund të këtij sezoni dhe Interi po synon ta transferojë si lojtar të lirë.
Thuram tashmë ka paralajmëruar largimin nga ekipi gjerman dhe po shqyrton të gjitha ofertat për të ardhmen e tij. Ai këtë edicion ka shënuar 13 gola dhe ka bërë pesë asistime në të gjitha garat për Gladbachun. Po ashtu, Thuram pati edhe pesë paraqitje në Kupën e Botës “Katari 2022” me Francën, ku regjistroi dy asistime.