Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Interi dhe Inzaghi në udhëkryq para ndeshjes me Barcelonën

Lojtaret e Interit ne stervitje

Skuadra e Interit po përballet me krizë të madhe, ndërsa përgatitet për vizitën e Barcelonës. Ndeshja e së martës mbrëma në Milano ka gjasa të ketë ndikim të madh në shanset e Interit për ta kaluar fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Humbja e së shtunës në shtëpi nga Roma, e udhëhequr nga legjenda e Interit, Jose Mourinho, e la skuadrën e Simone Inzaghit tetë pikë larg kreut në garën për titull në Serie A. Ishte humbja e katërt këtë edicion në Serie A dhe një përgatitje e tmerrshme për përballjen e së martës mbrëma prej orës 21:00, ku Interi dhe Barça do të luftojnë për vendin e dytë në Grupin C. Të dy skuadrat janë tri pikë prapa liderit, Bayernit dhe përballja vlerësohet e rëndësishme sidomos për skuadrën italiane. Humbja do të largonte Interin dhe Inzaghin nga objektivat për këtë sezon dhe do të rriste zërat për një largim të mundshëm të trajnerit, pavarësisht garancive të fundit nga klubi se puna e tij nuk është në rrezik.

Interi ka humbur tashmë të njëjtin numër ndeshjesh të ligës si në të gjithë sezonin e kaluar, në të cilin e humbi titullin e kampionit në xhiron e fundit pas një beteje emocionuese me rivalin e qytetit, Milanin.

Interi do të ketë një betejë të vështirë për t'u kualifikuar në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm, pasi një mori skuadrash janë përmirësuar dhe e kanë bërë ligën e Italisë më të mirë dhe me konkurruese sesa ka qenë në vitet e fundit.

“E kemi parasysh se ndeshja ndaj Barcelonës, që e luajmë në shtëpi, është shumë e rëndësishme për ecurinë tonë në Champions. Po ashtu është edhe shumë e vështirë por duhet të tregohemi të vendosur dhe të jemi të përqendruar për fitore. Barcelona është një ekip shumë i fortë, por ne duhet t’i tregojmë se jemi të fortë po ashtu. Ne jemi Interi dhe duhet të bëjmë të pamundurën për ta fituar ndeshjen. Jemi në një moment të vështirë dhe na duhet më e mira ndaj Barcelonës për ta tejkaluar atë”, ka thënë mbrojtësi i Interit, Matteo Darmian, në konferencën për shtyp të hënën. “E kemi mundësinë e artë për t’u kthyer te fitorja dhe jam optimist për këtë pasi gjithë ekipi është maksimalisht i motivuar. Gjithashtu do ta shfrytëzojmë edhe avantazhin e fushës vendase dhe përkrahjen e madhe të tifozëve, që është e rëndësishme për ne në këtë moment”.

Interi do të ketë mungesa të mëdha për këtë përballje. Në dyshim është edhe sulmuesi Lautaro Martinez, i cili ka pësuar një dëmtim të lehtë ndaj Romës. Ndërsa shkaku i lëndimeve tashmë është konfirmuar mungesa e Romelu Lukakut, Henrikh Mkhitaryanit, Hakan Calhanoglut e Marcelo Brozoviqit.

Edhe Barcelona nuk do të jetë pa mungesa kundër Interit. Të hënën klubi spanjoll ka konfirmuar mungesën e mesfushorit Frenkie de Jong, i cili nuk ka arritur të rikuperohet për këtë përballje. Ndërsa mungojnë edhe Memphis Depay, Jules Kounde, Hector Bellerin e Ronald Araujo. Te Barça janë të motivuar para këtij dueli, pasi vikendin e shkuar janë kthyer në pozitën e parë në La Liga pas një kohe të gjatë. Pas shtatë xhirove të luajtura, Barça prin me 19 pikë, sa i ka edhe Real Madridi, por që ka goldallim më të dobët.

“Ne tashmë e kemi harruar humbjen nga Bayerni dhe presim të jemi shumë më të efektshëm ndaj Interit. E rëndësishme është se atmosfera është e mirë brenda ekipit dhe misioni ynë i radhës është ta fitojmë këtë ndeshje, e cila nuk do të jetë aspak e lehtë”, ka thënë trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez. “Synimi është ta dominojmë ndeshjen dhe të tregojmë personalitet në fushë. Nuk është ndeshje finale, por është shumë e rëndësishme për shkak të asaj se çfarë mund të ndodhë në grup. Jemi në formë të mirë dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm. Interi është një ekip i fortë dhe do të mundohet të bëjë të pamundurën për një rezultat pozitiv ndaj nesh”.

Të martën mbrëma zhvillohet edhe një ndeshje interesante në kuadër të xhiros së tretë të fazës grupore të Championsit.

Skuadra e Ajaxit e pret Napolin që është lider i Grupit A, me gjashtë pikë të mbledhura. Ajaxi është i treti me tri pikë, sa i ka edhe Liverpooli në pozitën e dytë. Liverpooli përballet në shtëpi me skuadrën e Rangersit.

E martë

Grupi A

Ajax – Napoli (21:00)
Liverpool – Rangers (21:00)

1. Napoli 2 6

2. Liverpool 2 3

3. Ajax 2 3

4. Rangers 2 0

Grupi B

C. Brugge – Atl. Madrid (21:00)

Porto – B. Leverkusen (21:00)

1. C. Brugge 2 6

2. B. Leverkusen 2 3

3. Atl. Madrid 2 3

4. Porto 2 0

Grupi C

Bayern M. – V. Plzen (18:45)

Inter – Barcelona (21:00)

1. Bayern M. 2 6

2. Barcelona 2 3

3. Inter 2 3

4. V. Plzen 2 0

Grupi D

Marseille – Sporting (18:45)

E. Frankfurt – Tottenham (21:00)

1. Sporting 2 6

2. Tottenham 2 3

3. E. Frankfurt 2 3

4. Marseille 2 0

Artikuj të ngjashëm