Është intensifikuar “beteja” ndërmjet Leo Messit dhe Barcelonës për të vendosur nëse argjentinasi mund të largohet si lojtar i lirë nga Camp Nou apo jo, ashtu siç dëshiron lojtari.
Përfaqësuesit ligjor të Messit kanë lëshuar një deklaratë përmes së cilës janë të bindur se kanë argumentet se futbollisti mund të largohet nga Barcelona pa pasur nevojë të paguhet klauzola prej 700 milionë euro.
Babai i Messit, Jorge, përmes një deklarate i është kundërpërgjigjur La Ligas, e cila i ka dalë në mbështetje të Barcelonës duke thënë se lojtari ka klauzolë largimi prej 700 milionë euro dhe se kontrata e tij skadon deri më 30 qershor 2021, transmeton KOHA.
“Nuk e dimë se cilën kontratë e kanë analizuar ata dhe ku bazohen kur konkludojnë se e njëjta kontratë me ‘klauzolë largimi’ është e aplikueshme në rast se lojtari vendos që në mënyrë të njëanshme ta ndërprejë kontratën, me efekt nga fundi i sezonit 2019/20”, thuhet në deklaratën e Jorges.
Në pikën tjetër Jorge Messi e kritikon edhe presidentin e La Ligas, Javier Tebas.
“Ky është një gabim i dukshëm nga ana juaj”, ka thënë Jorge, që thekson se më nuk është e vlefshme klauzola prej 700 milionë euro. “Është e dukshme se dëmshpërblimi prej 700 milionë euro i parashikuar në klauzolën e mëparshme tani nuk është e aplikueshme”.