Sport

Iliria humb thellë nga kampioni zviceran, por festa është edhe për shqiptarët

“Shqiponjat” e Solothurnit kishin dy synime për ndeshjen ndaj kampionit të Zvicrës, Young Boysit. Synimi i parë ishte të mos pranonin më shumë se gjashtë gola. I dyti, të shënonin gol ndaj kampionëve, që të martën e kaluar shokuan Manchester Unitedin në Ligën e Kampionëve.

Në ndeshjen e së dielës në Solothurn, që i takoi rundit të dytë të Kupës së Zvicrës në futboll, Iliria humbi 7:1. Pra, pranoi më shumë se gjashtë gola, por edhe e shënoi një.

Kishte dilema nëse shënimi i golit do të festohej me formimin e shqiponjës dykrenare. Me këtë ishte marrë edhe gazeta e madhe zvicerane, Blick, në një reportazh që kishte bërë tek Iliria e Solothurnit para ndeshjes. Festë me shqiponjë kishte, por jo nga lojtarët. Pati festë emocionale nga lojtarët, por edhe në tribuna, që ishin me rreth 3000 shikues.

Young Boysi, ndonëse me fare pak lojtarë të ekipit të parë, fitoi bindshëm ndaj Ilirisë, skuadrës së kategorisë së gjashtë zvicerane. Iliria është ekip shqiptar në Zvicër, që në përbërje ka lojtarë amatorë. Vetë zhvillimi i ndeshjes me kampionin e Zvicrës ishte festë për komunitetin shqiptar në Solothurn. Dhe humbja e lartë ishte e pritur.

Young Boysi shënoi gjashtë gola në pjesën e parë e edhe një në minutën e 65-të. Në minutën e 78-të, Nazim Elezi shënoi golin e vetëm për Ilirinë, skuadrën që simbol e ka shqiponjën dykrenare.

Shumica e lojtarëve të Ilirisë ishin shqiptarë. Trajner është Vilson Dedaj, ndërsa presidenti Rrahim Dakaj nuk e ka pritur rezultatin 6:0 pas pjesës së parë. Ndeshja është transmetuar edhe në një televizion zviceran.

“Nuk e kam pritur këtë”, ka thënë për “blick”, Rrahim Dakaj, kryetar i Ilirisë. Ai ka pritur rezistencë më të madhe nga skuadra shqiptare.

Goli i Ilirisë u shënua pas një aksioni model. Dashnim Sulejmani pasoi për Elezin që e dërgoi topin në rrjetë. Mijëra shqiptarë në stadium nisën festën. Një tifoz që hyri në fushë festoi me figurën e shqiponjës. Lojtarët jo.

“Është dashur të kthehemi më shumë prapa. Në të kundërtën, do të pranonim edhe gjashtë gola të tjerë”, ka thënë kapiteni i Ilirisë, Alban Jahiu. Ai luan për Zvicrën në futsall. Punon në një fabrikë, ndërsa është nga Lugina e Preshevës. Ai kishte treguar para ndeshjes se synimi është shënimi i një goli.

Pra, Iliria një synim e arriti. Shënoi gol dhe pjesa e dytë përfundoi 1:1. Dhe po ashtu fitoi hapësirë në mediat e mëdha zvicerane. Për një skuadër të kategorisë së gjashtë kjo nuk është edhe e lehtë.

Klube si Iliria, që përfaqësojnë komunitetin shqiptar në Zvicër, janë jo pak. Ilira është prej më të njohurve, sidomos tani. Iliria ka fituar tri herë Kupën e Solothurnit dhe kështu ka arritur të marr pjesë në garën për Kupë të Zvicrës. Por, fati i ka munguar në short. Në vitin 2016, luajti ndaj Schaffhausenit. Humbi 4:1.

“Unë pata shënuar për 2:1 dhe ndeshja u bë interesante”, ka kujtuar Albani. Në vitin 2019, Iliria humbi 6:1 nga Lausanne, tjetër skuadër profesionale. Dhe tani luajti me kampionin e Zvicrës, Young Bouysin, skuadrën e Ligës së Kampionëve që mposhti javën e kaluar skuadrën e Cristiano Ronaldos me 2:1.

Në xhiron e parë të Kupës së Zvicrës, Iliria e mposhti një skuadër amatore. Pengesa e dytë natyrisht ishte e pakaluar.

Simbolet shqiptare janë të qarta te Iliria. Logoja e ka pamjen e flamurit shqiptar, me ngjyrë të kuqe dhe shqiponjën dykrenare me ngjyrë të zezë.

Zhvillimi i ndeshjes me kampionin e Zvicrës është ëndërr e bërë realitet për anëtarët e Ilirisë.

“Në vitin 1991 shumë kosovarë erdhën në Zvicër si punëtorë sezonalë. Shumë kanë luajtur futboll, duke më përfshirë mua. Por, nuk kishim klub. Një kërkesë për të formuar klub mori përgjigje negative, pasi pak fusha ishin në dispozicion. Kështu që të gjithë luan diku tjetër, shumë në Olympia Gran Sasso, një klub kryesisht italian. Në një moment, klubi nuk dëshironte të merrte pjesë në kampionat”, ka treguar presidenti Rrahim Dakaj.

Kështu në vend të klubit italian u formua klubi shqiptar. U formua Iliria. Drejtuesit e klubit kanë shpjeguar për zviceranët domethënien e fjalës “Iliria”.

Dy prej lojtarëve kishin formuar figurën e shqiponjës në një fotografi që kishin bërë për “blick” para ndeshjes. Në ndeshje nuk pati festë të tillë nga lojtarët. Por tashmë shumë njerëz në Zvicër dinë për Ilirinë. E dinë që është klub që i bashkon shqiptarët.