Sport

Pasi mposhti Unitedin në Champions, Young Boysi takohet me skuadrën shqiptare

Goli i Cristiano Ronaldos nuk i kishte mjaftuar Manchester Unitedit në ndeshjen ndaj kampionit zviceran, Young Boys.

Young Boysi të martën bëri sensacion duke fituar 2:1 ndaj gjigantit anglez në fazën grupore të Ligës së Kampionëve. Nicolas Ngamaleu barazoi shifrat në 1:1 në minutën e 66-të, ndërsa Theoson Siebatcheu shënoi golin e fitores në minutën e 95-të.

Skuadra që bëri sensacion në Champions, të dielën e luan ndeshjen e ardhshme. Dhe do të takohet me një skuadër që nëse eventualisht shmang humbjen e thellë, do të ishte sensacion shumë i madh. Përballë Young Boysit do të jetë skuadra shqiptare, Iliria Solothurn.

Iliria garon në nivele të ulëta të futbollit zviceran (kategoria e gjashtë), por do të takohet me skuadrën më të fortë zvicerane në raundin e dytë të Kupës helvetike. Ndeshja luhet në stadiumin e Solothurnit nga ora 16:00. Raundi i dytë i bie të jetë 1/16 e Kupës së Zvicrës në futboll. Në raundin e parë Iliria e mposhti në kohën shtesë skuadrën Eschlzmatt-Marbach me shifrat 4:3.

“FC Iliria Solothurn po merr pjesë në Kupën e Zvicrës për herë të tretë. Në vitin 2016 klubi është takuar me Schaffhausenin në 1/16 e finales. Në vitin 2019 kemi luajtur ndaj Lausannes në 1/32 e finales. Shorti ka përcaktuar që këtë vit të luajmë me kampionin në fuqi dhe pjesëmarrësin e Ligës së Kampionëve, në 1/16 e finales të Kupës së Zvicrës”, shkruan në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të klubit Iliria.

Në Zvicër ka shumë klube shqiptare të futbollit, ku mblidhen bashkatdhetarë të shumtë. Iliria është prej klubeve më të suksesshme shqiptare. Shumica e lojtarëve janë shqiptarë, ndërsa logoja e klubit është me simbole kombëtare, e ngjashme me flamurin, me shqiponjë të zezë dykrerëshe.

Iliria e ka fituar kupën e Solothurnit për herë të tretë dhe kështu bëri vend në garën për Kupë të Zvicrës. Young Boysi ka paraqitur në faqen zyrtare një profil të Ilirisë, duke shkruar se klubi është formuar në vitin 2002 në vend të një klubi tjetër që ishte tërhequr nga futbolli.

Përballja me Young Boysin natyrisht i ka siguruar Ilirisë prezencë në mediat e mëdha helvetike. Sajti i njohur “20min.ch”, ka shkruar për duelin e ekipit shqiptar me kampionin.

“Dallimi në cilësi mes dy kundërshtarëve vështirë se mund të jetë më i madh. Pas sensacionit në Champions me fitoren 2:1 ndaj Manchester Unitedit, YB duhet të shkojë në Solothurn për ndeshjen e Kupës ndaj Ilirias së ligës së dytë regjionale”, ka shkruar mediumi zviceran, duke vlerësuar se gjasat për befasi janë 0.1 për qind.

Pavarësisht rezultatit, ndeshja e së dielës pritet të jetë moment feste për bashkatdhetarët tanë në Solothurn.